E Diel, 1 Nëntor 2026

“Transporti qytetas në krizë, kërkojmë subvencionim”

Autori i Lajmit: red.
Ankesat e qytetarëve për kushte më të mira të transportit urban në kryeqytet mund të shuhen vetëm me blerjen e autobusëve të rinj. Por sipas sekretarit të Përgjithshëm të Transportit Ndërqytetas, Kujtim Hyka, kjo situatë do të vazhdojë edhe për sa kohë Bashkia e Tiranës të mos japë asnjë subvencion për shoqëritë aksionere të autobusëve të Tiranës. Madje, ai thekson më tej se “për të blerë autobusë të rinj dhe për të ndryshuar kushtet e udhëtimit, gjë që është e pamundur nga shoqëritë aksionere, Bashkia jo vetëm nuk bashkëpunon, por vendos edhe taksa shtesë për çdo autobus, si taksë pastrimi, taksë për lulishte, etj”. “Nëse situata do të vazhdojë kështu, – theksoi ai, – ky lloj transporti do të shkojë drejt falimentimit”. Sipas tyre, Bashkia e Tiranës, kohët e fundit, edhe pse ka ndërmarrë iniciativa për të shndërruar imazhin e rrugëve, të fasadave të pallateve, apo edhe për prezantimin e një megaplani për ta rregulluar Tiranën, konform qyteteve evropiane, nuk ka investuar për një nga shërbimet bazë, si transporti, i cili duket se është drejt falimentimit. Bëhet fjalë për shërbimin e transportit urban në kryeqytet, i cili që nga viti 2000 është privatizuar, duke ua dhënë shoqërive private për ta menaxhuar, gjë që nuk solli asnjë të re në shërbim krahasuar me vitet para 2000-shit, kur në këtë shërbim operonte ndërmarrja e Parkut Shtetëror të Transportit Urban. Autobusët e linjave të qytetit të Tiranës, ku kohët e fundit kanë ngritur dhe çmimin e biletës, nuk kanë mundur t u shpëtojnë ankesave të qytetarëve si nga mirëmbajtja ashtu edhe nga ngarkesat e shumta të njerëzve që të marrin frymën.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›