E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi ndërkombëtar, takim për energjinë e pastër

08/07/2009  Përfaqësues të qyteteve të Adriatikut e Jonit angazhim për të ulur shkarkim e gazrave në atmosferë

DURRES- Është zhvilluar në Durrës një takim i forumit të qyteteve të Adriatikut dhe Jonit me temë kushtuar energjisë dhe kryesisht asaj të pastër që përkufizohet në modelin easy. Pikërisht ky model energjie është përfshirë në projektet e komunitetit evropian dedikuar energjisë së pastër ku tenton të integrohet edhe qyteti i Durrësit.

Takimi

Në takim e mori fjalën edhe sekretari i përgjithshëm i forumit të qyteteve të Adriatikut dhe Jonit, Emilio D’Alesio, i cili referoi në lidhje me mundësitë për politikë të qëndrueshme në Adriatik. Kreu i Bashkisë së Durrësit që është edhe presidenti i radhës i këtij forumi Vangjush Dako vuri theksin në nevojën e përdorimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme edhe në vendin tonë. Prej disa vitesh edhe pse mes shumë vështirësish ka nisur një proces për reduktimin e gazeve serë në atmosferë dhe në këtë aspekt duken se shfaqen horizonte të reja pozitive edhe këtë fillim viti. Përdorimi i këtyre burime energjetike që zotëron çdo vend përfaqëson shansin e vërtetë të modernizimit të kohëve tona që do të thotë edhe ekonomi e re, zhvillim i mëtejshëm i teknologjive tashmë më të përparuara në këtë sektor, vende të reja pune. Është ky drejtimi i rinovimit dhe i rritjes së re ekonomike, një tjetër emergjencë e rëndësishme planetare në këto vite të rënies së tregjeve të financës. Në këtë takim të forumit u vu theksi se në kushte aktuale botërore pikërisht modeli i kësaj energjie easy është një model për t’u ndjekur edhe në vendin tonë.

Energjia

Energjia e rinovueshme që do të hidhet në rrjet gjatë viteve të ardhshme do të jetë e barabartë me 28 për qind të konsumit aktual vjetor. Ekspertë të Entit Rregullator të Energjisë bëjnë të ditur se aktualisht, në një periudhë afatmesme prej 3-6 vjet pritet të futet në shfrytëzim një potencial gjenerues hidroelektrik prej rreth 530 megavat orë që parashikohet të prodhojë, pas vënies në shfrytëzim, një sasi energjie elektrike nga burime të rinovueshme prej 1.76 miliardë kilovat orë në vit. Gjatë vitit të kaluar, qeveria ka miratuar lejet për ndërtimin e dy linjave të transmetimit kabllor nënujorë me tension 400 kilovolt dhe kapacitet transmetues 500 megavat secila, midis Shqipërisë dhe Italisë. Të gjitha këto burime të reja prodhuese do të mundësojnë edhe përballimin e rritjes së kërkesës për energji elektrike të vendit tonë. “Në praktikën e vendeve të zhvilluara të borës, rritja vjetore e kërkesës për energji elektrike vlerësohet mesatarisht me 1 për qind. Kurse në vendin tonë, duke u nisur nga praktika 25-vjeçare e furnizimit të vendit me energji, rritja e kërkesës vlerësohet mesatarisht me 3.3 për qind në vit”,- theksojnë ekspertët e ERE-s. Vitin e kaluar filloi puna për ndërtimin e termocentralit të Vlorës me një kapacitet prej 98 megavat orësh dhe një prodhim vjetor prej rreth 650 gigavat orë, i cili pritet të vihet në punë në muajin shtator. Gjithashtu, filluan punimet e ndërtimit të linjave të transmetimit Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Elbasan me tension 400 kilovolt dhe kapacitet transmetues 1 mijë megavat, nëpërmjet të cilave bëhet i mundur interkonjeksioni i sistemit tonë elektroenergjetik me aksion verior të transmetimit Mal i Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›