Forumi që bashkon
Vetëm 2 vite më parë, në janar të vitit 2007, u njohëm me një nismë të quajtur Marshimi i Paqes. Shumëkush u habit e të tjerë buzëqeshën plot dashamirësi, por gjithsesi mosbesueshëm. Një organizatë e panjohur, e pagëzuar me emrin Forumi për Demokraci dhe Etikë, u shfaq për herë të parë publikisht dhe i kërkoi politikës shqiptare të dilte nga klima e konfliktit ku ishte zhytur, të ulej në tryezën e bashkëpunimit dhe të arrinte kompromiset e nevojshme për realizimin e zgjedhjeve lokale që, më në fund, u bënë më 18 shkurt të vitit 2007. Nëse FDE-ja ishte e panjohur, drejtuesi i saj, Arian Galdini, njihej prej vitesh si një nga njerëzit e kahershëm dhe konsistentë në Partinë Demokratike dhe sidomos në strukturat e saj rinore. Në mënyrë "të pazakontë", krah tij qëndronin edhe përfaqësues të Partisë Socialiste, LSI-së, Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 etj. Vetë kompozimi i ekipit drejtues ndërpartiak të FDE-së në vetvete të linte shijen e të paprovuarës, e sigurisht ngjallte habi e skepticizëm. Këta djem dhe vajza thoshin në atë fillim janari 2007, se Forumi për Demokraci dhe Etikë është një organizatë e ideuar, themeluar dhe drejtuar nga një grup të rinjsh të angazhuar në politikë, por që përfaqësojnë bindje dhe parti të ndryshme politike. U tha atëherë edhe se disa nga pengesat kryesore në ngadalësimin e zhvillimit politik, ekonomik dhe social në vend janë mungesa e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok, duke theksuar se në Shqipëri politika ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve, por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës. Këto shqetësime i kishin shtyrë të bëheshin bashkë, si përfaqësues të rinj me përkatësi të ndryshme politike, për të dhënë një shembull të gjallë bashkëpunimi në skenën politike shqiptare. Ata deklaronin asokohe se nuk dëshironin që këto ide të mbeteshin të izoluara thjesht në një grup njerëzish, por të përçoheshin dhe tek aktorë me ndikim në shoqërinë tonë. Vizioni i Forumit për Demokraci dhe Etikë ishte dhe mbetet që të krijojë një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale në Shqipëri. Këta djem dhe vajza thoshin se nuk janë grup presioni, por kërkojnë të ndryshojnë shoqërinë me anë të ideve dhe veprimeve të tyre, duke drejtuar nëpërmjet shembullit dhe integritetit të tyre personal. Ky është një proces që kërkon kohën e vet dhe që ndikimin e vet e kryen individ pas individi, ditë pas dite dhe rrethanë pas rrethane. Për FDE-në, integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirëfunksionimin dhe mbarëvajtjen e procesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social. Që nga koha e shfaqjes në publik me tezën e kompromisit, ekipi i zgjeruar çdo ditë me djem e vajza nga parti të tjera, filloi një turr takimesh me Presidentin e atëhershëm të Republikës, z. Alfred Moisiu, dhe me të gjithë kryetarët e partive politike parlamentare, duke u bërë thirrje për ulje në tryezën e marrëveshjeve parimore për zhbllokimin e situatës pakrye, që rrezikonte realizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Disa televizione modeste dhe shumë më pak gazeta i pasqyruan aktivitetet e tyre, por kjo nuk i dekurajoi djemtë dhe vajzat e Forumit për Demokraci dhe Etikë. Pakkush i njihte dhe i besonte, por shumë qytetarë filluan të dallojnë tek ata djem dhe vajza kahjen e së mirës dhe vizionin e sinqertë për të kontribuar për ndryshime pozitive në politikën dhe shoqërinë shqiptare. FDE-ja e shpalli atëherë datën 17 janar 2007 si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, e u kërkoi qytetarëve shqiptarë, me dhe pa parti të dilnin në sheshin “Skënderbej” e të marshonin paqësisht drejt sheshit “Nënë Tereza”, duke i kërkuar politikës shqiptare plot mirëkuptim e mirëbesim, zgjidhje dhe përgjegjshmëri, pajtim, komunikim dhe bashkëpunim. Vetëm disa qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së FDE-së për të dalë në Marshimin e Paqes në 17 janarin e 2007-ës dhe pak media e pasqyruan. Shumë pak analistë e drejtuan vështrimin apo e vunë në punë penën e tyre për të analizuar dhe vlerësuar FDE-në si një mekanizëm unik në vetvete me kompozimin që ka, por edhe nismën tejet ambicioze që shpallën këta të rinj.
Sot, 2 vite më pas, FDE-ja ka bërë udhë të gjatë. I kemi parë drejtuesit e FDE-së të organizojnë prej shumë muajsh me një intensitet tepër të lartë, e njëkohësisht me një kapacitet të admirueshëm tryeza të rrumbullakëta, takime të ndryshme, aktivitete të larmishme, në të cilat nuk kanë munguar kurrë temat e ditës dhe ato të mëdhatë, sikurse nuk kanë reshtur kurrë së parakaluari plot hijeshi drejtuesit më të lartë të politikës shqiptare, në Tiranë, Kosovë apo Maqedoni, por as edhe përfaqësuesit më të lartë të trupit diplomatik në Tiranë apo përfaqësues të lartë dhe dinjitarë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar apo Evropa. FDE-ja ka thyer çdo paradigmë, çdo tabu e ka kaluar çdo cak të së imagjinueshmes për standardet e politikës shqiptare, ngase për herë të parë një OJF (ky është statusi ligjor i FDE-së, ndonëse Galdini deklaron shpesh se FDE-ja është një lëvizje politike në përmbajtje, por jo në formë), në 18 vjet demokraci ia del mbanë të mbledhë së bashku në tryeza të rrumbullakëta apo në takimet e përmuajshme Lidership Forum, ministra të qeverisë, drejtues të lartë politikë të pozitës dhe opozitës, deputetë, intelektualë, akademikë etj. E ajo që e bën akoma më të lavdërueshme këtë nismë të FDE-së është konteksti se kur është ndërmarrë ajo. Dalja në skenë e FDE-së dhe shpallja e konfigurimi, më pas përmbushja e fjalëve me vepra, u realizua dhe vijon të realizohet me një sukses të plotë, pikërisht në një kohë kur Shqipëria vazhdon të rropatet nga përfshirja dhe ripërfshirja nga një qerthull në një qerthull të ri konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh për shkak të intrigave të politikës së ditës. Këto konflikte të verbëta mes palëve kishin bërë që të mos ngrihej në vlerën që i takon sfida e shqiptarëve për anëtarësim në NATO, BE dhe pavarësinë e Kosovës. E pra, çështjet madhore për shkak të konfliktit po humbisnin e vendoseshin pa respekt, e plot nënçmim në të njëjtin nivel me çështjet dhe intrigat e politikës së ditës. Ndaj edhe lançimi i FDE-së publikisht me ligjërim dhe vepër u ndërmor në kohën e duhur, kësisoj pati dhe vazhdon të ketë edhe efektivitetin maksimal. Megjithatë, duket se data 17 janar 2009, do të ishte rikonfirmimi politik, social dhe mediatik se FDE-ja në 5 vitet e saj publike dhe jopublike, ka arritur të bëhet ndoshta oazi i paqes ku politika shqiptare bëhet bashkë. Më 17 janar 2009, FDE-ja, ripërsëriti nismën për ta shpallur këtë datë të madhe si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar. Ishte prova e dytë. Sërish, mediat dhe politika u treguan të kursyera, të vakëta, me mbështetjen e kësaj nisme në një kohë që paradoksalisht pati politikanë dhe media që i bënë më shumë vend dhe kauzë historisë personale të një të moshuare të gjorë që vuante dënimin për shkak të një paudhësie në pleqëri. Për këta politikanë dhe këto media, nënë Ferideja bënte më shumë vlerë se Nënë Tereza. Por Marshimi i Paqes në datë 17 janar, atë ditë të shtunë plot diell, ishte realisht guri më i rëndësishëm kilometrik që FDE-ja deri më sot ka vendosur në jetën politike dhe publike shqiptare. Atë ditë marshuan duke lartësuar Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun dhe Nënë Terezën, disa qindra qytetarë, me flamuj kuqezi dhe me qirinj e lule në duar, e bashkë me ta marshonin për paqe, Ali Ahmeti, Murat Jashari i biri i Adem Jasharit, i moçmi dhe i mençuri Sabri Godo, e shumë e shumë personalitete të tjera politike nga Tirana, Prishtina dhe Tetova. 17 Janari, tashmë është bërë dhe do të mbetet një datë e fiksuar mirë në memorien e të gjithë shqiptarëve, si një datë kur ata do të ngrenë lart të rënët e tyre, heronjtë e tyre dhe si një datë kur do të lartësohen vlerat që do të ndërtojnë plot forcë qytetarin dinjitoz shqiptar. Të gjithë do të kujtohemi tashmë se në vitet që vijnë, në çdo 17 janar, të gjithë së bashku do të na duhet të mendojmë, dëshirojmë dhe sfidojmë vetveten për të bërë Marshimin e Paqes, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo edhe thjesht në ndërgjegjet tona. Pak ditë më parë, në 5-vjetorin e Forumit për Demokraci dhe Etikë, u rimblodhën për të festuar së bashku drejtues të lartë politikë, deputetë të pozitës dhe opozitës. Të gjithë, ndërsa kishin hyrë në atë sallë, kishin dorëzuar armët e konfliktit dhe përforconin me dëshirë atmosferën e paqes dhe mirëkuptimit që ka arritur të ndërtojë FDE-ja me aq mund nëpërmjet takimeve të përmuajshme nën siglën Lidership Forum. E përshëndetën Forumin për Demokraci dhe Etikë në 5-vjetorin e tij shumë miq dhe personalitete nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar apo Evropa. Nuk munguan në këtë 5-vjetor mesazhet përshëndetëse ku deklamohej fort entuziazmi dhe vlerësimi për punën që FDE-ja ka bërë, nga miq të veçantë që tashmë janë edhe anëtarë të Këshillit të Nderit të FDE-së. Shqiptarë të mëdhenj nga Kosova e Maqedonia, si Ramush Haradinaj, Arbën Xhaferi, Ali Ahmeti, Imer Selmani, por edhe personalitete të larta politike të Tiranës, si Pandeli Majko, Ilir Meta, Enkelejd Alibeaj, Lajla Përnaska, Lulzim Basha, Majlinda Bregu, Princi Leka II etj. kanë ditur të shohin dhe vlerësojnë punën e FDE-së në këto 5 vite. Gati 2 vite më parë, kur forumi doli për herë të parë në publik, pas 3 vitesh pune dhe aktivizmi jopublik, me nismën për Marshimin e Paqes, z. Arbën Xhaferi ishte i vetmi autoritet politik dhe intelektual shqiptar që e mbështeti Forumin për Demokraci dhe Etikë në nismën e ndërmarrë duke botuar një përsiatje të mrekullueshme në disa gazeta kryesore të ditës. Por sivjet, Arbën Xhaferi nuk ishte më vetëm. Shumë emra të mëdhenj dhe dinjitoze iu bashkëngjitën me vendosmëri dhe mbështetje të sinqertë publike ose jo, nismës së FDE-së dhe vetë FDE-së. Pas datës 17 janar 2009, politika dhe shoqëria shqiptare mund të pranojë dhe deklarojë lirshëm dhe me siguri se tashmë këtu ka lindur një organizatë që di të mbledhë bashkë, që di të përbashkojë, që di të shërbejë në krah të së mirës, një oaz paqeje ku mund të shërohen plagët e betejave të politikës dhe konflikteve të ditës dhe të sheshohen udhë të një vizioni të përbashkët. Ky oaz, kjo vlerë e re ishte fituar më në fund nga politika dhe shoqëria shqiptare, quhet Forumi për Demokraci dhe Etikë. FDE-ja që Arian Galdini me kolegët e miqtë e tij Spiro Cura dhe Nebi Bardhoshi, drejtojnë, po hap një shteg, një udhë ku gjithkush mund të bashkohet me të nën moton për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë të ëmblën shtëpi të paqes, mirëkuptimit, bashkëpunimit, prosperitetit. Faleminderit FDE!