E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foshnja e gjetur në plehra u vra pas lindjes

Foshnja që u gjet kufomë mes plehrave të Porto Romanos ka lindur e gjallë dhe jo në maternitet. Ky është konkluzioni i grupit hetimor dhe ekspertëve mjekoligjorë për trupin e pajetë që u gjet mëngjesin e Krishtlindjeve në vendin e depozitimit të mbetjeve urbane të Durrësit, në Porto Romano. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur se nga përfundimet e deritanishme të arritura nga specialistët, foshnja ka lindur e gjallë dhe me peshë 3.7 kilogramë. Nga këqyrja që i është bërë regjistrit të lindjeve të maternitetit të Durrësit dhe nga kontakti me personelin mjekësor të tij, rezulton se foshnja nuk ka lindur në këtë maternitet. Pas gjetjes së rastësishme nga banorë të zonës që punojnë çdo ditë në sheshin e plehrave të Durrësit, kufoma e foshnjës së seksit femër u dërgua në morgun e spitalit të Durrësit për kryerjen e ekzaminimit mjeko-ligjor. Trupi vazhdon të jetë ende në morg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›