E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vajzë përdor armën se e bezdiste zëri i lartë

Dy persona janë plagosur me armë zjarri në dy ngjarje që kanë ndodhur në 24 orët e fundit në qytetin e Korçës. Policia ka shpallur në kërkim dy autorë, një prej të cilëve është një femër 25-vjeçare. Dy ngjarjet që nuk kanë pasur lidhje me njëra-tjetrën kanë pasur motive të dobëta. Enejota Zaçe, 25 vjeçe nga Korça ka plagosur rëndë me pistoletë një 21-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, në një nga lagjet e qytetit. Burimet e policisë thanë se ka qenë ora 14.20, kur Zaçe, ndërsa kalonte me një mjet tip BMW me targa italiane, ka dalë dhe ka qëlluar me pistoletë 21-vjeçarin Ledion Belortaja. Policia ka deklaruar se shtetasi që është plagosur me armë zjarri ka marrë një plagë të rëndë në shpinë dhe për shkak të gjendjes kritike për jetën është nisur drejt kryeqytetit me urgjencë. Gjithçka ka ndodhur kur 21- vjeçari kishte ndaluar për të biseduar me disa persona në lagjen Radanec. I plagosuri, sipas hetimeve të policisë, ka qenë në kryqëzim, jashtë një mjeti tip "Mercedes Benz", duke biseduar me disa djem, kur shtetasja Enejota Zaçe ka ndaluar mjetin e saj tip BMW dhe i është drejtuar 21-vjeçarit me fjalët se ai po ofendonte të njohurit e saj që ishin në makinë, duke folur me zë të lartë. Më pas, kjo shtetase është kthyer në makinë, nga ku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 21-vjeçarit Ledion Belortaja. Policia ka thënë se pas ngjarjes 25-vjeçarja është larguar. Policia e ka shpallur atë person në kërkim, nën akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe e armëmbajtjes pa leje. Një tjetër plagosje e rëndë me dashje ka ndodhur në një lokal, ndërsa festohej. Lorent Nake, nga Tirana, ka qenë në një lokal në periferi të qytetit, kur ka nxjerrë pistoletën dhe ka plagosur në këmbë 32-vjeçarin Kleant Agolli. Sherri mes tyre ka pasur motive banale, për shkak të një femre që ndodhej në lokal. Ndërsa shoku i 24-vjeçarit ka qenë në grindje e sipër me Kleant Agollin, autori ka ndërhyrë për t‘i dhënë fund sherrit mes tyre, duke plagosur 32-vjeçarin me pistoletë në këmbë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›