E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foshnjat, 40 % e tyre ushqehen me gji

Autori i Lajmit: red.
Shqipëria është ndër vendet e para në rajonin evropian, që ka ndaluar me ligj propagandimin e preparateve të qumështit të industrializuar për të ushqyer fëmijët e sapolindur, sipas Drejtorisë së Planifikimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. “Kodi Ndërkombëtar i Tregtimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit i shndërruar në ligj në Shqipëri, është zbatuar me sukses”, - thonë specialistët. Shifrat e ushqyerjes me gji në vendin tonë kanë shënuar rritje. Aktualisht, 40 për qind e fëmijëve deri në fund të muajit të gjashtë të jetës së tyre ushqehen me gji. Kjo është një shifër që tregon rritje, krahasuar me 23 për qind që ishte në vitin 2002, vlerëson Drejtoria e Planifikimit Spitalor, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë e konsideron prioritet stimulimin e ushqyerjes së fëmijëve me gji. Realizimi i këtij objektivi ka nisur shtatë vjet më parë, me një projekt të mbështetur nga OBSH dhe UNICEF, përmes të cilit janë sensibilizuar mjekët dhe infermierët në spitalet e vendit për rëndësinë që ka ushqyerja me gji te të gjithë fëmijët deri në moshën 6 muaj. Synimet e projektit janë shtrirë aktualisht deri në 1/3 e vendit, ku përfshihen spitalet qendrore në qytetin e Pogradecit, Korçës, Bulqizës, Peshkopisë, Kukësit dhe Tropojës. Qëllimi i zbatimit të këtij projekti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, konsiston në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore. Por, megjithë progresin e bërë në Shqipëri, ka ende sfida të rëndësishme lidhur me monitorimin e zbatimit të ligjit, zgjerimit të rrjetit të materniteteve për zbatimin e hapave për një ushqyerje të sukseshme me gji dhe rritjen e numrit të fëmijëve nën 6 muaj të ushqyer me gji në mënyrë ekskluzive. Studime të kryera nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregojne se një fëmijë që është ushqyer me gji është tri herë më shumë i aftë të mbijetojë, sesa një fëmijë që nuk është ushqyer asnjëherë me gji.

Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›