E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen tarifat doganore me Maqedoninë

 

Duke nisur nga muaji maj nuk do të ketë më tarifa doganore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, gjatë forumit të biznesit shqiptaro-maqedonas. Të dy ministrat e dy vendeve u shprehën dje se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti do të liberalizojnë tregun e mallrave, çka do të thotë që nuk do të paguhet më taksë doganore për produktet, që do të importohen dhe eksportohen midis dy vendeve fqinjë. Ministri maqedonas Besimi, u shpreh se në kuadër të kësaj nisme, prioritet do t’i jepet prodhimeve të industrisë së agrikulturës, por njëkohësisht kërkohet edhe realizimi i infrastrukturës rrugore për një qarkullim pa pengesa dhe të nevojshëm për biznesin. “Shqipëria dhe Maqedonia, në mbështetje të nenit 40 të marrëveshjes CEFTA 2006, si të gjitha palët e përfshira në këtë marrëveshje, janë të detyruara të negociojnë liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë së produkteve bujqësore, brenda muajit maj të vitit 2009. Shqipëria dhe Maqedonia janë të përfshira tashmë në takimet konsultative/negociuese që lidhen me liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë së produkteve bujqësore, mbështetur në marrëveshjen CEFTA 2006. Mendoj se pikërisht këtu ne kemi shumë më tepër mundësi për të avancuar në drejtim të liberalizimit të mëtejshëm, në interes reciprok të të dy vendeve”, u shpreh dje ministri Ruli. Në kuadrin e zbatimit të CEFTA-s, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar rekorde pozitive, duke e renditur Maqedoninë si partner të rëndësishëm në tregtinë rajonale. Sipas të dhënave zyrtare volumi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare me Maqedoninë për vitin 2008 arriti në vlerën 105 milionë euro. Ndërkaq, eksportet shqiptare drejt Maqedonisë mbulojnë rreth 21% të totalit të eksporteve në grupin e vendeve të CEFTA-s duke shënuar një rritje prej 47% ndaj vitit 2007. Importet nga Maqedonia gjithashtu kanë rezultuar me një rritje prej 33% duke zënë mbi 26.7% të importeve brenda grupit të CEFTA-s. Sipas ministrit të Ekonomisë Ruli, zbatimi i CEFTA-s ka sjellë një përmirësim të ritmit të rritjes së shkëmbimit të mallrave midis grupit të këtyre vendeve, duke ndikuar në integrimin e ekonomive respektive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›