E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fosilizimi i Shqipërisë s'ka për të ndodhur

Miliona ton fosile qymyri do vijnë që nga Afrika e Jugut në bregdetin shqiptar për t'u djegur e për të prodhuar dritë për Europën. Miliona ton naftë e gaz do vijnë në bregdetin shqiptar qysh nga Azia Qendrore për t'u djegur e për të prodhuar dritë për Europën. Projekti i kapacitetit të instaluar i TEC-ve fosil vlerësohet rreth 5000 MË, ndërkohë kur Shqipërisë i duhen vetëm 500 MË për nevojat e saj. Kjo energji shtesë që i duhet Shqipërisë mund të plotësohet vetëm me ndërtimin e HEC-ve të vegjël dhe nguljen e disa turbinave të erës në ndonjë majë mali në Shqipërinë tonë malore. Është e vërtetë që janë marrë ca vendime e janë nënshkruar ca marrëveshje për mega-TEC-e, por ato nuk kanë shans të ndërtohen në Shqipëri.
E para,Shqipëria është ndër vendet e para në botë për burimet e saj hidro-energjitike për frymë të popullsisë dhe njëherazi nga të fundit në botë për shfrytëzimin e tyre. Këto burime jo vetëm që mjaftojnë për Shqipërinë, por ajo edhe mund të eksportojë energji të prodhuar prej tyre. Në një vend normal, asnjë vendimmarrës nuk do të guxonte që të instalojë turbina që vihen në punë nga djegia e naftës, të ardhur nga qindra apo mijëra km larg, me çmime 4 deri 5 herë më të mëdha, vetëm në harkun kohor vetëm 4-vjeçar, në vend të instalimit të turbinave që gjenerojnë energji nga rrjedhja e lirë e lumenjve, energjia më e lirë (për Shqipërinë) dhe më e pastër. Nuk po përmendim këtu rolin e madh që kanë kudo në botë sot politikat për menaxhimin e ujit, lidhur kjo edhe me faktin se shkencëtarët parashikojnë, në 2-3 dekadat e ardhshme, krizën e ujit si më problematiken për botën. Shqipëria pasurinë e madhe të saj, ujin, duke mos e përdorur, thjesht e humbet. Humbje që konvertohet në varfëri për qytetarët e saj. Importimi i burimeve fosile të energjisë në Shqipëri, shumë më të shtrenjta se përdorimi i burimeve hidrike është, po ta vulgarizojmë pak, sikur Arabia Saudite të importojë ujë për të ndërtuar hidrocentrale.
E dyta, shqiptarët nuk mund të pranojnë të trajtohen si qenie të dorës së dytë. Sëmundjet, humbjen e viteve nga jeta e tyre, humbjen e territoreve, shkatërrimi i ekosistemeve natyrore, shkatërrimi i biodiversitetit; dëmtimi i potencialeve turistike e si rrjedhojë dëmtimi i ekonomisë së vendit, shkatërrimi i peizazhit dhe hapësirave rekreative, që do të shkaktoheshin prej ndërtimit të veprave energjitike me bazë fosilesh, nuk mund të jenë çështje të neglizhueshme nga qytetarët e këtij vendi. Në kohën e sotme, falë dhe zhvillimit të madh të teknologjisë së informacionit, qytetarët janë shumë më të informuar se ç'mendojnë oilmenët, sado ata bëjnë lidhje të shkurtra me qeveritarët tanë me shformim të gjithanshëm.
E treta, qeveritë e njëpasnjëshme të tranzicionit i kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë për legjislacionin mjedisor dhe kanë meritë, edhe pse i kanë kopjuar mirë ato nga BE-ja, por qeveritarëve tanë të njëpasnjëshëm nuk i ka shkuar në mendje se atyre do t'u duhej të jepnin provim para popullit, që të kalojnë klasën. Bie fjala, ligji thotë fare qartë se për vepra mjedisore me bazë fosilesh, një komunitet mund të kërkojë referendum vendor për t'u shprehur, "Po" apo "Jo". Këtë bëri, bie fjala, komuniteti i Vlorës. Qeveria përpiqet ta kalojë prapë me kopje p.sh., duke nxjerrë poshtë tavolinës argumente të sajuara nga KQZ, por Komisioni "Popull" nuk e ha sapunin për djathë. Ai mund ta rrëzojë edhe Qeverinë, sado që ajo mund të nxjerrë edhe dhëmbët, siç po bën në Vlorë.
E katërta, eksportimi i ndotjes është fenomen i papranueshëm në parimet dhe rregulloret e BE-së. Disa kompani abuzojnë me situatën që Shqipëria ka mungesë energjie dhe nxjerrin flamurin e "shpëtimit" të Shqipërisë, së pari. Në deklaratën e Brukselit, të 62 organizatave mjedisore ndërkombëtare, e cila iu bashkëngjit paketës së dokumenteve të Takimit Ndërministral të Europës, mbajtur në Tetor në Beograd, duke pasur pikë së pari parasysh rastin e Shqipërisë, shkruhet: "...ne kundërshtojmë tendencën për të ngritur TEC me bazë lëndë të parë fosilesh në vendet jashtë kufijve të BE-së, për të siguruar energji elektrike për vendet brenda BE-së".
Nuk mundet më që multinacionalet e naftës të luajnë me fenomenin e ngrohjes globale. Këto ditë zhvillohet Samiti i Balit në Indonezi për ngrohjen globale, ku do të marrin pjesë 10.000 vetë dhe përfaqësuesit më të lartë të të gjitha shteteve të botës. Kjo lojë banale e rritjes së emsioneve të gazrave serë nëpërmjet spostimeve nga vendet e zhvilluara në vendet në zhvillim, nuk mund të vazhdojë. Në Bali do kërkohet që mbrojtja e mjedisit të bëhet "parimi federativ i bashkësisë ndërkombëtare".
Al Gore ish-kandidati për President i SHBA, duke marrë të hënën Çmimin "Nobel për Paqen 2007" tha: "Pa e kuptuar, ne i kemi shpallur luftë tokës. Është koha të bëjmë paqe me planetin". Në Shqipëri, lufta me tokën është ashpërsuar. Qeveria ka dhënë komandën: "Në sulm!".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›