Fundi i misionit
Nga fillimi i këtij viti e deri në ditët e sotme, Gjermania dhe qeveria e këtij vendi ka pasur gjithnjë një qëndrim pak më tjetër, kur zgjidhja e Statusit të Kosovës ishte në pyetje. Nga Presidenca e radhës së BE-së, janar-qershor dhe deri tek Samiti i famshëm i Heiligendammit ishte Berlini ai që, për dallim nga Parisi dhe Londra, nuk donte të ngutej me vulosjen e fatit të Kosovës. Edhe pse Ahtisaari dhe plani i tij përkraheshin si nga Zyra e Kancelares, Angela Merkel (CDU) ashtu edhe nga Zyra e Ministrit të Jashtëm (SPD), megjithatë, kur puna erdhi tek ajo që quhet kurorëzim i "Pakos Ahtisaari", ishte Berlini ai që pas dështimit në KS të OKB-së na e dha propozimin për lançimin e mekanizmit të ri të njohur tashmë si Treshe Ndërkombëtare e përbërë nga SHBA-të, Rusia dhe BE-ja. Nuk ishte për t'u çuditur edhe aq shumë që si përfaqësues i BE-së të emërohej një diplomat gjerman.
Ischingeri mori postin e tij, në një kohë kur deziluzionizmi i kosovarëve kishte arritur kulmin sidomos kur dilemat gjermane, por edhe pengesat e një pjesë të mirë të vendeve të tjera anëtare të BE-së, duhej të tundeshin dhe kalonin nga faza e mëdyshjeve, në atë të veprimeve finale. Kështu, tërë procesi u rifreskua edhe njëherë. Bisedimet dhe gjoja bisedimet lëviznin nga Vjena në Bruksel e Neë York dhe anasjelltas, vetëm e vetëm që të bëhej ajo që duhej domosdoshmërisht: bindja e shumicës së vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që rrugë tjetër nuk ka pos Pavarësisë. Prandaj nuk duhej, dhe sidomos tashti nuk duhet të çuditemi që më aktivi në Treshe ishte përfaqësuesi i Europës. Prandaj nuk duhej, dhe sidomos tashti nuk duhet çuditur për të gjitha propozimet me "pahir" të Ischingerit, herë për "ndarjen" e herë për Statusin "neutral". Ajo që çudiste dhe çudit, është shpejtësia me të cilën Serbia binte në këto kurthe dhe jo rrallë naiviteti me të cilin kosovarët reagonin, duke e vulosur diplomatin gjerman si "edhe" një njeri, si "edhe" një gjerman të Serbisë apo edhe Moskës.
Kështu, derisa mediat shqiptare në përgjithësi dhe ato kosovare në veçanti nuk linin fjalë as fjali, rresht apo nënrresht të Ischingerit pa komentuar dhe katapultuar nëpër "analet" e analizave të tyre, po ky Ischinger, pa bërë ndonjë zhurmë dhe gati-gati pa rënë në sy, vraponte nëpër Bukuresht a Bratislavë dhe në stilin e mësuesit të tij (Genscherit!) i lëvizte këto vende nga "jo"-të e tyre, të cilat na shkaktonin aq kokëdhembje. Me fjalë të tjera, Wolfgang Ischinger, në vijën e parë të frontit luante negociatorin dhe propozuesin kurse në prapavijë, pikërisht aty, nuk linte "gur pa lëvizur" derisa t'i bindte europianët të merrnin një pozicion të qartë. Rezultati u bë i qartë të hënën e kaluar. Askush nuk përmendte as Sllovakinë, as Spanjën, por sidomos as Rumaninë. Të gjithë ishin unikë. Pos Qipros me siguri që do lëvizë. Dhe çfarë bënim ne shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në veçanti më datën 10 Dhjetor të vitit 2007? Pikërisht, ditën kur po ky Ischingeri kishte futur krejt BE-në në valixhe dhe në emër të tyre fliste për nevojën e njohjes së Kosovës. Kur krejt shtetet perëndimore, përmes mediave dhe zyrtarëve të tyre flisnin edhe për një shtet të ri në Europë, që do na lindë javët dhe muajt që vijnë. Pra ditën kur së paku virtualisht, por pa tundje, përmendej shteti i ri në Ballkan... Ne, merreshim me vetveten. Çmalleshim, analizonim, komentonim, vetë-lavdëroheshim, profetizonim, sa nuk qanim me dhe për njëri-tjetrin në "fshatin global" (shqiptar natyrisht!) në relacionet Prishtinë-Tiranë-Shkup. Duke pirë kafe. Me kryeministrat. Dikush para televizorit e dikush (VIP-at!) para kamerave. Për llogaritë e kafeve të VIP-ve me kryeministrat mos u brengosni. Ka kush i heq!