Stina koncertore fiton konkursin e dramës
"Për origjinalitetin dhe finesën kompozicionale në trajtimin dramaturgjik të një teme akute në shoqërinë shqiptare", Stefan Çapaliku, shpallet fitues i konkursit të dramës shqipe me një pjesë ku preket problemi i gjakmarrjes, "Allegretto Albania". Çmimi i dytë iu akordua Gazmend Krasniqi, për dramën "Metropolis", ndërsa i treti Ferdinad Hysit me dramën "Jetë qeni dmth Vip, oseVip Brothers". I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri Ylli Pango, i cili tha se " MTKRS e ka vlerësuar si të domosdoshme ndërhyrjen institucionale për motivimin e krijuesve të dramës shqipe". Sipas tij dramat fituese nuk do të kenë thjesht përfitim monetar, por do të shohin edhe dritën e skenës. Ç'është e vërteta, dramaturgët që kanë luftuar për veprën e tyre e kanë gjetur rrugën për ta ngjitur atë në skenë edhe pa ndihmën e ministrit, edhe pse jo në skenën e TK-së. Rasti konkret është fituesi i konkursit, dramaturgu Stefan Çapaliku, i cili është nga ata që ka gjetur skena alternative. Drama fituese "Allegretto Albania" është shfaqur në skenën e Ohrit verën e shkuar. Gjatë ceremonisë së çmimeve ministri u shpreh se "tre dramat fituese do të hyjnë në kalendarin artistik të Teatrit Kombëtar për vitin 2008". Duket se tashmë edhe kalendarin e Teatrit Kombëtar e vendos ministri. Vetëm një ditë më parë, drejtori Kristaq Skrami u shpreh për këtë çështje duke theksuar që veprat fituese do të shqyrtohen dhe do të diskutohen me bordin e më tej do të vendoset nëse do të jenë pjesë e kalendarit.
Në konkursin e këtij viti morën pjesë 20 dramaturgë me rreth 30 krijime, që do të thotë që disa dramaturgë u paraqitën me më shumë se një, apo dy vepra.