Pango: Do reformoj Teatrin, është monoton
I pakënaqur nga ecuria e deritanishme, ministri Ylli Pango shpall reformimin e Teatrit Kombëtar: Investime dhe cilësi si në teatrot e mëdhenj botërorë
Pas nëntë muajsh në pozicionin e ministrit Ylli Pango shkel për herë të parë në Teatrin Kombëtar. Jo për të parë ndonjë shfaqje, por për të ndarë çmimet e konkursit kombëtar të dramës shqipe. Pango u shpreh i kënaqur për realizimin e projektit, por aspak për ecurinë e aktivitetit të Teatrit Kombëtar. Sipas tij, teatri prej vitesh funksionon në të njëjtën mënyrë. Thjesht monoton. "Teatri ka vite që ndjek të njëjtën skemë, të njëjtën rrugë, ka një lloj monotonie. Për mendimin tim aktorët janë kapacitete, një pjesë e mirë e tyre janë shumë të aftë në fushën e tyre dhe nuk meritojnë të shpërblehen kaq sa shpërblehen brenda një barake, ku ke ftohtë kur vjen për të parë një shfaqje", - u shpreh Pango për gazetarët, ndërsa shton se suksesi i një teatri nuk varet nga numri i premierave. Pango, i cili deri më tani nuk ka pretenduar hapur ndonjë platformë për të reformuar teatrin, u shpreh se kishte pritur që vetë ky institucion të reformohej. "Nëse ka institucione që nuk kanë funksionuar, kam pritur prej tyre reformë dhe ato e kanë pritur prej nesh, atëhere ne do ta bëjmë. Por duam që edhe ata të angazhohen",- u shpreh ministri.
Idenë e reformës ai ua shprehu edhe artistëve dy ditë më parë, të cilët nuk e kuptojnë se si mund të reformohet teatri. "Për të bërë një reformë duhet vullnet politik. Që ligji "Për Teatrin" të zbatohet, që teatri të pastrohet nga të paaftët që kanë vite që nuk ngjiten në skenë, do vullnet politik. Është e pamundur që reformën ta bëjë një drejtor, qoftë ky edhe Kristaq Skrami", - thotë aktori Ndriçim Xhepa.
Për Pangon reformë është investim në infrastrukturë dhe funksionimi sipas modeleve të teatrove të huaj. Për këtë ai ka ngritur edhe një grup pune, gjë që ua bëri të njohur aktorëve në takimin e së enjtes, në zyrën e tij. "Mendoj të ndihmoj që ky teatër së pari të rindërtohet dhe së dyti të funksionojë sipas një koncept i ri. Teatrot më të mirë në botë e kanë një model. Kjo është arsyeja pse kam ngritur një grup pune, i cili po studion modelet më të mira të teatrove dhe mbi bazën e këtij studimi në bashkëpunim me aktorët, në vitin 2008 do të ndërtojmë një koncept të ri mbi teatrin".
I pyetur për ndonjë lëvizje të mundshme të drejtorit aktual të Teatrit Kombëtar, Pango tha se nuk merret me emra konkretë. Për të mjaft të ketë reformë. "Drejtori për mua, pavarësisht nga emri, është njeri që duhet ketë grintë për të bërë reformën dhe nëse mua më rezulton një i tillë, cilido që të jetë ky, unë nuk kam pse të mos bashkëpunoj me të. Unë nuk bazohem te emri", - tha Pango. Por edhe pse nuk përmendi emra, duket që ministri nuk e do më Skramin në postin e drejtorit. Madje mësohet që të ketë propozuar edhe dy kandidatura në kryeministri për kreun e TK-së. Bëhet fjalë për aktoret Yllka Mujo dhe Rajmonda Bulku. Kur Pango ua tha këtë, aktorët shprehën vlerësimin për aktoret, por gjithsesi dolën pro drejtorit Skrami, i cili përpara se të vendosej në krye të Kombëtarit ka drejtuar Teatrin "Petro Marko" të Vlorës. Aktorët thonë se ai u tërhoq përballë qëndrimit të tyre, por nuk i dihet se sa Pango do t'i mbetet besnik këtij qëndrimi. Duket se ministri i besoka më shumë dorës së një femre. Ndoshta këtë donte të thoshte me kthim të teatrit në një "botë magjike". "Ndjej nevojën që të ketë një ndryshim. Ndjej nevojën që të ketë një teatër si dikur. Ky institucion nuk më jepë kënaqësinë e të jetuarit në një botë magjike, të veçantë, të hyj në një petk tjetër e të ndiej që jam në teatër. Jo të kem ftohtë qoftë në karriken e spektatorit, qoftë prapa skenës", - tha Pango.