E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndërr dyfishe në galeri

Ajo ndjek ëndrrën e prindërve të saj. Një ëndërr dyfishe për të bërë diçka të madhe. Në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap dje ekspozita "Doppio sogno dell'arte - Ëndrra e dyfishtë e artit. 2RC, midis artistit dhe mjeshtrit". Paraqiten rreth 150 vepra në grafikë të autorëve të traditës dhe bashkëkohorë si Giuseppe Capogrossi, Francis Bacon, Enzo Cucchi, Lucio Fontana, Henry Moore, Jannis Kounellis, Giacomo Manzu, Joan Miro, Renato Guttuso, Man Ray, Arnaldo Pomodoro, Graham Sutherland etj. Për të prezantuar këtë ngjarje ndodhet në Tiranë edhe Simona Rossi, pinjollja e krijuesve të shtypshkronjës 2RC. (Shtypshkronja e Artit 2RC u themelua në vitin 1959 nga Valter dhe Eleonora Rossi, së bashku me Franco Cioppi). Ajo thotë se është duke ndjekur pasionin e prindërve të saj, të cilët donin të ngrinin një shtypshkronjë arti dhe të mblidhnin rreth vetes emrat më të mëdhenj të pikturës bashkëkohore. Dhe ia arritën. Në bashkëpunim me vetë artistët krijuan një tjetër formë të të bërit art. Veprat që ajo ka sjellë në Tiranë janë piktura të emrave të mëdhenj botëror të kthyera në grafikë. Ekspozita është një përshkrim i historisë së artit italian dhe atij botëror nga vitet '60 deri më sot. Një gërshetim i së shkuarës, së tashmes, me perspektivë për të ardhmen. Ekspozita "Doppio sogno dell'arte" është ideuar nga Prof.Achile Bonito Oliva për Fondacionin "Arnaldo Pomodoro" të Milanos dhe qëndron hapur deri më 14 janar 2008 në GKA. Ky është një bashkëpunim i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, Ambasadës Italiane, Institutit Italian të Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›