E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fota përjashton përkohësisht Uilliamsin

Uilliams është pezulluar përkohësisht nga Fota, shoqata që bashkon skuadrat e Formula 1. Lajmi është dhënë nga skuadra angleze, e cila deri tani është dhe e vetmja që ka zyrtarizuar synimin për t‘u regjistruar për Botërorin 2010 në Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit. Lajmërimi, i bërë i njohur të hënën e kaluar, ka pasur më shumë efekt përforcues sesa dobësues në lidhje me kompaktësinë e skuadrave, të cilat i kanë kërkuar zyrtarisht presidentit Maks Mosli të ndryshojë rregullat e reja, në veçanti tavanin për buxhetin e kostove. Kjo nismë udhëhiqet mbi të gjitha nga Ferrari. Frank Uilliams e kishte motivuar regjistrimin si një respekt për impenjimet të deritanishme me FIA-n. Ata do të garojnë në F1 deri në 2012. Por ky lajm, i ardhur në kulmin e luftës mes skuadrave dhe Moslit, nuk kishte se si të kalonte pa pasoja. Dje në mbledhjen e skuadrave në Londër për të vendosur përfundimisht se çfarë do të bëhet, ka prodhuar edhe një vendim tjetër. Më 29 maj është kufiri i fundit i FIA-s për regjistrimet në Botërorin 2010. Deri tani ka zëra se do të regjistrohen skuadra spanjolle Campos Meta 1, ajo amerikane USF1 dhe vetë Uilliams. Gjithë të tjerat kërcënojnë se nuk do të regjistrohen. "Vendimi i Fota-s është i kuptueshëm, ishte komenti i Frenk Uilliamsit për revistën "Autosport", edhe pse jemi në një moment ku i vetmi treg është Formula 1. Ne kemi detyrime kundrejt partnerëve tanë. Për më shumë jemi detyrimisht të lidhur edhe nga kontrata jonë me FOM dhe FIA për të marrë pjesë në Botëror deri në 2012".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›