Maldini: Milani nuk më ka mbrojtur kurrë
Paolo Maldini është i zhgënjyer. Jo vetëm për festën e lamtumirës nga futbolli, e cila iu prish nga tifozët, por mbi të gjitha për mungesën e reagimit nga ana e klubit kuqezi. "Nuk më ka pëlqyer që klubi nuk mbajti një qëndrim. Nuk ka pasur asnjë koment, ka thënë numri 3 i milanistëve në një intervistë të gjatë të "Gazzetta dello Sport", nga presidenti e deri poshtë, asnjë drejtues nuk ka thënë asnjë fjalë. Unë do të jem një idealist, por besoj një klub si Milani duhet të distancohet nga episode të tilla". Replikë e menjëhershme e administratorit të deleguar, Adriano Galiani: "Kam qenë unë ai që ka marrë vendimin për të mos folur në lidhje me këtë çështje: jo vetëm sepse kështu më kanë këshilluar, por mbi të gjitha sepse kam theksuar dhe e theksoj edhe tani, që heshtja është arma më efikase për të mos u dhënë akoma edhe më shumë rëndësi ngjarjeve të së dielës së fundit".