Kapllani braktis Karlsruhen dhe firmos me Agusburgun deri më 2011
Është zyrtare: Edmond Kapllani nuk do të jetë më futbollist i Karlsuhes, pasi ai ka nënshkruar dje një kontratë 2-vjeçare deri më 2011 me FC Augsburg, e cila militon në Bundesligën 2. Lajmi është bërë i njohur nga mediat gjermane. Kavajasi ka vendosur të braktisë ish-skuadrën, menjëherë pas rënies së saj në kategorinë e dytë gjermane. Edhe pse kontrata e Kapllanit me Karlsruhen skadonte më 30 qershor 2010, ajo ishte e vlefshme vetëm për në Bundesliga 1. Rënia një javë më parë në Bundesligën 2 e ka bërë automatikisht të pavlefshme këtë kontratë dhe të dy palët kanë arritur në përfundimin se lidhja mes tyre duhet të merrte fund këtu. Kështu që sulmuesi shqiptar ka kaluar në radhët e ekipit të Agsburgut me parametra zero. Kapllani luante te Karlsruhe që nga sezoni 2004. Sezoni më i mirë, që ai ka përjetuar në radhët e kësaj skuadre, ishte 2006-2007: Karlsruhe u ngjit në elitën e futbollit gjerman falë 17 golave të shqiptarit, i cili atë vit u shpalle edhe golashënuesi i dytë më i mirë i Bundesliga 2. Në sezonin pasardhës ai nuk ka bërë një paraqitje të mirë për shkak se nuk pati një aktivizim të rregullt, ndaj mundi të shënonte vetëm dy gola. Ndërsa zhgënjeu në sezonin e fundit, i cili sapo u mbyll. U aktivizua në total në 20 ndeshje, nga të cilat 14 i filloi si zëvendësues dhe nuk mundi të shënonte asnjë gol. Në total kavajasi ka zhvilluar 48 ndeshje në Bundelsligë (2 gola), ndërsa 70 në Bundesliga 2 (24 gola). Menjëherë pas përfundimit të rënies së Karlsruhes nga kategoria, Kapllani nisi tratativat me Augsburgun, me të cilin dje nënshkroi një kontrate deri më 30 qershor 2011. "Jam shumë i kënaqur për kalimin tek Augsburgu, u shpreh dje Kapllani për faqen zyrtare të skuadrës së tij të re për sezonin e ardhshëm. I vlerësoj drejtuesit e klubit, që vendosën të më marrin në këtë skuadër. Në radhët e Augsburgut dëshiroj të arrijmë objektivat e përbashkëta dhe të kontribuoj në zhvillimin e mëtejshëm të skuadrës". Për blerjen e shqiptarit u prononcua edhe trajneri i FCA (Augsburgut): Me blerjen e Kapllanit kemi marrë një golashënues të rrezikshëm, i cili, me 17 golat e tij, i dha Karlsruhes ngjitjen në Bundesliga 1 në sezonin 2006/07. Unë jam i kënaqur që ai erdhi tek Augsburgu".