Milan, Kaka kushton 65 milionë euro
Situata financiare në shtëpinë e Milanit duket se po kalon momente shumë të vështira dhe, sipas disa burimeve, padroni Silvio Berluskoni do të ishte i gatshëm të "sakrifikonte" talentin e tij, Rikardo Kaka, (27-vjeçar) për një shifër te rreth 65 milionë euro. Mendohet se pikërisht kjo shumë do të përdorej për të rregulluar bilancin, i cili po shkon drejt një situate shumë alarmante. Në fakt, gjithçka e tillë justifikon të dhënat se, Fininvest, "kasaforta" e familjes Berluskoni, nuk ka ndërmend të rrisë deficitin, që për momentin kap shifrën 66,8 milionë euro. 65 milionë eurot, që do të mund të merreshin nga Reali i Madridit, do të shërbenin për të ulur disi deficitin. Megjithatë, nga Franca pritet rikthimi i Joan Gorkuf (22), pas një sezoni të shkëlqyer me Bordonë. Ai mund të jetë zëvendësuesi natyral i brazilianit. Por pritet të ketë kontestime nga tifozët.