Kuzhe pëlqeu më shumë Abraham dhe Toni Pezon
Në "finalen" për titull në Kategorinë Superiore, ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë, Josip Kuzhe, u paraqit për herë të parë në stadiumin "Qemal Stafa" si trajner i Shqipërisë. Një përballje që do ta ndihmonte të krijonte ide të qarta rreth kampionatit tonë, por edhe për një pjesë të konsiderueshme të elementëve kuqezi, që luajnë në këto dy skuadra. Por, nga 22 lojtarët që kanë zbritur në fushë në sfidën e së shtunës së kaluar, tekniku kroat ka pëlqyer më shumë dy të huajt e Tiranës, mbrojtësit Abraham Aleçenvu dhe Toni Pezo. Nigeriani 23-vjeçar mban një rekord unikal në Shqipëri: ka fituar katër herë radhazi titullin, çdo vit me nga një skuadër të ndryshme. Gjithsesi, Kuzhe ka grumbulluar në Kombëtare gjashtë prej lojtarëve që vëzhgoi, pesë nga bardheblutë dhe Elvin Beqirin e Vllaznisë.