Fshati Breglum proteston për rrugën, kërcënon me bojkot
Rreth 100 banorë të fshatit Breglum, në Komunën Tërthore, në rrethin e Kukësit kanë protestuar dje në mënyrë paqësore për prishjen e rrugës që lidhte fshatin me aksion nacional. Për shkak të ndërtimit të autostradës, rruga e fshatit Breglum u devijua në një terren të pjerrët, që për banorët është shumë e vështirë për t‘u kaluar. Ata thonë se pjerrësia deri në 25% e variantit të ndërtuar e bën rrugën të pakalueshëm, sidomos gjatë dimrit. Në vend të rrugës së fshatit është ndërtuar muri mbrojtës i autostradës në një gjatësi prej rreth 500 m linear me një lartësi mbi 5 apo 6 metra, ndërsa rruga e fshatit u devijua nëpër mal, për t‘u lidhur me autostradën në hyrjen e një ure të lartë. Protestuesit i kanë kërkuar qeverisë të detyrojë ndërtuesit të gjejnë një zgjidhje më të mirë, në të kundërt ata kanë kërcënuar se do të bojkotojnë zgjedhjet e 28 qershorit. Nga kontaktet që banorët kanë pasur me autoritetet lokale dhe të dërguar nga qeveria, është rënë dakord që protesta të ndërpritet për tri ditë për të diskutuar dhe gjetur një zgjidhje të mundshme të problemit. Banorët e Breglumit janë dëmtuar edhe më herët nga ndërtimi i urës nga kompania "GRANIT", që çoi në prishjen e ujësjellësit, ndotje dhe dëmtim të mjedisit nga hedhja e dheut, ndërsa së fundi mbeten edhe pa një rrugë lidhëse me aksin nacional.