“Fotaq Zaharia të dënohet me 25 vjet burg”
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me kërkesën përfundimtare të Prokurorisë për dënimin e Fotaq Zaharisë. Në paraqitjen e këtyre konkluzioneve, prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata shpalljen fajtor dhe dënimin me 25 vjet burg për Fotaq Zaharinë. Pala e akuzës risolli edhe njëherë përpara gjykatës të gjitha episodet për të cilat akuzohet Fotaq Zaharia. I pandehuri Zaharia nuk ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit, ndërsa kishte pranuar përfaqësimin nga mbrojtësi i tij ligjor. Episodet për të cilat Zaharia akuzohet kanë ndodhur në vitin 2005 në zonat përreth qytetit të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me një ish-të arratisur nga burgu kryenin vjedhje nën kërcënimin e armëve. Ngjarja më e rëndë është ajo e 29 qershorit të këtij viti në fshatin Trevllazër, ku ai ka hedhur një granatë në drejtim të disa efektivëve të policisë së Vlorës, që kishin mbërritur aty për kapjen e tij. Nga shpërthimi i granatës është plagosur ish-oficeri i Policisë Kriminale të qytetit bregdetar, Gentian Musabelliu. Sipas Prokurorisë, Zaharia akuzohet për "vrasje cilësuese e mbetur në tentativë", "grabitje me armë" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake". ar.ba