Urbanët, kërkohet tjetër rritje çmimi për biletat
ZIRINA LLAMBRO
Shoqata Kombëtare e Transportit kërkon sërish rritje të çmimit të biletës në linjat urbane. Kjo me argumentin se aktualisht nuk arrihet të mbulohet kostoja e shërbimit. Për investime as që nuk bëhet fjalë. Në takimin e djeshëm të organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë shoqata kërkoi edhe ndryshimin e skemës për personat që udhëtojnë falas. “Persona të caktuar abuzojnë si me kartat e udhëtimit falas por edhe me abonetë e biletat. Në këtë drejtim duhen marrë masa urgjente. Pasi përfitojnë qindra vetë pa e merituar statusin e veteranit apo invalidit”, tha Hazbi Parllaku, një nga përfaqësuesit e shoqatës së transportit. Sipas tij veteranët dhe invalidët nuk mbrohen nga organet përkatëse shtetërore, që i kanë nën mbikëqyrje duke i paguar subvencione kompanive private. “Për këto grupe i takon shtetit të rimbursojë operatorët që ofrojnë shërbimin. Janë rreth 900 milionë lekë në vit, që ne nuk i kemi marrë asnjëherë nga shteti, që prej 5 vitesh gati”, theksoi Gugash Dallia, një tjetër përfaqësues i shoqatës. Ai kërkoi decentralizimin e pushtetit lokal, në mënyrë që çmimi i biletës të vendoset nga bashkitë. Çështje tjetër delikate mbetet edhe ajo e rritjes së çmimit të aboneve, pasi sipas operatorëve privat, vlera reale e saj duhet të ishte 2200 lekë. Aktualisht ajo shitet me 1400 lekë. “Propozimet tona ne do t’i çojmë edhe në Bashki e në Ministrinë e Transportit. Në të kundërt nuk ka si të kemi përmirësim të shërbimit në linjat urbane”, u shprehën përfaqësuesit e shoqatës. Por në fakt këto kërkesa tingëllojnë pak non-sens, po t’i referohesh deklaratave që vetë kjo shoqatë ka bërë disa muaj më parë. Asokohe kërkesa për rritje të çmimit të biletës erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të naftës. Strukturat përkatëse e pranuan këtë argument dhe e çuan çmimin e biletës, nga 20, në 30 lekë. Rritje pësuan edhe abonetë. Tashmë që çmimi i naftës është ulur, pretendimi për një tjetër rritje për qytetarët duket i pabazuar. Pjesa më e madhe e tyre janë kundër këtij propozimi. Për ata që udhëtojnë me autobusë në Tiranë, cilësia e transportit është aq mizerje sa nuk arrin të justifikojë as çmimin aktual.