Foto Strakosha nis eksplorimin e kampionatit shqiptar
Trajneri i përfaqësueses U-19 po seleksionon në Kamzë futbollistët e ditëlindjes 1994
Ka marrë përsipër një detyrë të vështirë, të cilën dëshiron ta çojë deri në fund. Foto Strakoshës i kanë mjaftuar disa ditë në Tiranë për të përcaktuar programin që do të ndjekë për formimin e një grupi ambicioz për eliminatoret e vitit të ardhshëm, që fatmirësisht do të zhvillohen në Shqipëri. Në fillim do të eksplorojë lojtarët e të mirë të kampionatit shqiptar për moshat U-19 dhe U-17, por do të bëjë seleksionime edhe në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh.
Seleksionimi në Kamzë
Dje, në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamzë, edhe pse në një mot të keq, janë paraqitur rreth 35 futbollistë të rinj të ditëlindjes 1994 për tiu nënshtruar seleksionimit. Drejtoria teknike e FSHF kishte vendosur që fillimisht të vëzhgoheshin futbollistët që luajnë në në minifederatat e Durrësit, Tiranës dhe Shkodrës, pasi për minifederatat e tjera seleksionimet mund të bëhen në Fier.
Na duhet të formojmë një grup thuajse nga e para, pasi pjesa më e madhe e futbollistëve që ka grumbulluar kolegu im Gega e kalon moshën, sepse janë të ditëlindjes 1993. Këto tri ditë do të vëzhgojmë lojtarët e Shqipërisë së Mesme dhe ata të Veriut, ndërsa në janar do të zhvillojmë seleksionime në Fier me pjesën e mbetur, është shprehur Strakosha.
Prurjet nga U-17
Sigurisht që në sistemin zinxhir të përfaqësueseve të një vendi skuadrat më të vogla bëhen furnizuese të më të mëdhave. Për fatin e keq të Strakoshës, U-17 nuk ka për momentin lojtarë për të furnizuar U-19-ën, pasi skuadra e Xhemos do të do të luajë në Raundin Elitë. Është një moment delikat, pasi edhe për një vit nuk mund të kemi prurje nga U-17. Pas një viti do të jetë më e lehtë, pasi do të afrohen lojtarët që janë përgatitur nga Xhemo, ka shpjeguar Strakosha.