E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foto e rrallë miqësore mes dy armiqve historikë

Para disa ditësh pashë në rubrikën tuaj një fotografi shumë interesante, do të thosha historike, të Ismail Qemalit, marrë nga një botim rastësor jashtë Shqipërisë. Do të doja edhe unë të sillja në këtë rubrikë një foto shumë të veçantë, të panjohur më parë dhe të bërë publike së fundi, me citim Arkivën e Ministrisë së Jashtme të ish-Austro-Hungarisë. Në këtë fotografi janë dy nga armiqtë më të përbetuar të njëri-tjetrit në historinë e Shqipërisë, Ahmet Zogu dhe Hasan Prishtina. Për ata që e njohin sadopak historinë e Shqipërisë, është thuajse e paimagjinueshme një fotografi miqësore mes Zogut e Prishtinës. Por ja që ka ndodhur!
Sipas dokumenteve të botuara për herë të parë në revistën "Albanica", ish-përfaqësuesi i Austro-Hungarisë në Shqipëri i asaj kohe, August Kral, ka pohuar se kjo foto e rrallë është bërë para Hotelit "Bristol" në Vjenë, në 17 prill të vitit 1917. Historia e konfliktit mes Zogut dhe Prishtinës, është e rrallë në vetvete. Dikur miq të ngushtë me njëri-tjetrin, ata i ndau politika. Seria e atentateve të herëpashershme që organizonin kundër njëri-tjetrit përfundoi në vitin 1933, kur Zogu ia arriti të eliminonte Prishtinën me një atentat në Selanik të Greqisë. Deri atëherë Prishtina ishte dënuar 6 herë më vdekje, nga xhonturqit, Serbia, Esad Pashë Toptani dhe tre herë nga Zogu. Histori të ngjashme atentatesh ka edhe vetë Zogu, i cili është tentuar të vritet disa herë në Parlament, në Korçë, në Vjenë etj. Ai i Korçës, sipas arkivave,, është organizuar nga Hasan Prishtina dhe atentatorët (që gjetën vdekjen) ishin njëri shqiptar e tjetri bullgar.
Fotografia në fjalë është bërë kur të dy armiqtë e betuar ishin në Vjenë, në të njëjtën kohë, në krye të dy dërgatave që kishin shkuar në Vjenë në 1917, për të falënderuar Perandorin austro-hungarez për mbështetjen nga 1913 e më pas për çështjen shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›