Historia e Pemës më të famshme në botë
Megjithëse kanë kaluar pak ditë nga festimet e Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, ende nuk është zbehur atmosfera e atyre ditëve. Simboli i tyre mbetet Pema. Po cila është Pema më e madhe në botë? Ndodhet në qendrën "Rokfeler"në Manhattan. Historia magjike e kësaj peme ka filluar 75 vjet më parë. Kjo pemë që të arrijë në destinacion shoqërohet nga eskorta e policisë amerikane dhe arrin për në qendrën "Rokfeler" në mesin e natës. Kur është marrë vendimi për këtë pemë? Dihet që shumë popuj dhe vende të ndryshme në botë, në kohë depresioni ose lufte, marrin vendime shumë të rëndësishme për t'u sjellë pak lumturi njerëzve në zemrat e vrara nga lufta ose mjerimi. Kështu, vendimi për të vendosur këtë pemë vigane në Manhattan është marrë në kohën e depresionit në Amerikë. Pikërisht, kur populli ishte nën depresion ekonomik, ku çdo gjë u kolaps, mendohej për të sjellë pak gëzim në vatrat e tyre familjare.
Për këtë pemë është menduar në kohën kur vetë qendra ishte një kantier ndërtimi. E bija e Sebastian Muscarello, Celia Carrano nga Middle Village, (babai i saj punonte në ndërtim për këtë qendër), i sugjeroi të atit për të vendosur një pemë, në vendin ku ai punonte. Fati e kishte sjellë që Sebastiano kishte lindur në ditën e Krishtlindjeve dhe ia propozoi Brigadës së tij, që të mblidhnin kursime, për të blerë një pemë dhe të festonin ditëlindjen e tij. Prej atëherë u kthye në traditë.
Formalisht ceremonia filloi me 1933, ku pema shkëlqente nga 700 drita. Për t'u shënuar në historinë e Pemës së Mamhatanit, ishte dhjetori i vitit 1941. Amerika u godit më 7 dhjetor 1941, në Pearl Harbor, nga Japonia. Këtë dhjetor pema nuk shkëlqente më nga dritat, sepse energjia ishte e limituar. Në vend të saj u vendosën tre pemë të dekoruara me ornamente të kuqe, të bardha dhe blu.
Edhe në gjendje lufte, vendimi për Pemën e Manhatanit nuk u la kurrë në harresë. Më 1945, kur lufta mbaroi, pema ndriçoi përsëri dhe në mes ndodhej një dritë e zezë. Ceremonia Kombëtare e pemës u bë në një nga shoë-t më të famshëm më 1951 ("The Kate Smith show"). Pema ndriçohej nga plot 26 mijë drita me ngjyra të ndryshme, me një yll në majë.
Më 1998 vetëm ylli në Pemën e Manhatanit peshonte 80 kg qelq. Sot ylli përbëhet nga kristal Swarovski dhe peshon 280 kg. Pema më e lartë në traditën e Manhatanit u soll nga New Jersey më 1999. Kurse vitin e fundit, pra Krishtlindjet e 2007, pema është rreth 100 metra e lartë dhe është norvegjeze. Për ta prere pemën, punëtorëve iu deshën vetëm 2 minuta, me 25 punëtorë dhe një vinç 280 ton. Kur mbaron sezoni i Krishtlindjeve, pema shkon për riciklim.