"Ballafaqimi me deputetin tim"
Kam qenë gjithmonë një nga partizanët më të flaktë të pastrimit të ambientit, duke përfshirë këtu edhe pastrimin e mureve e shtyllave të çfarëdollojshme nga posterat e fushatave elektorale tashmë të mbyllura. Kaq është e vërtetë kjo, sa një ditë pashë një nga ata që i kishte ngjitur ato para fushatës dhe u bëra gati t'i kërkoja llogari pse s'po bënte tashmë veprimin e kundërt, atë të heqjes së tyre. Por, kur u afrua afër e u përballa, pashë që ishte bërë tepër serioz dhe, veç ta tjerave, kishte vënë dhe një kollare me kokë të madhe dhe këpucë me majë të gjatë. E kuptova se kishte zënë punë diku në administratë dhe s'ishte më i disponueshëm për të hequr posterat nga muret. Dalëngadalë, si të gjithë, dhe unë u mësova me prezencën e posterave me fytyrat e kandidatëve nëpër mure. Sa herë dal në ballkonin e shtëpisë sime, shikoj ballë për ballë në murin e pallatit përballë, fotografitë e rreshtuara të kandidatit për deputet të vitit 2005, që tash është deputet. E përshëndes e më buzëqesh. Si atëherë?! Jo tamam!
Në posterat përballë shtëpisë sime, nga pesë postera që janë rresht, në të parin kanë ikur dy ngjitjet e sipërme dhe ai është palosur poshtë duke i mbuluar sytë kandidatit dhe duke i lënë të duket vetëm goja dhe maja e hundës. Pra tani, ai duket sikur flet pa na parë më në sy, ai nuk betohet dot më për sytë e ballit. I dyti, është zbardhur kaq shumë sa ka humbur çdo ndjeshmëri e shprehi dhe është bërë krejt indiferent e pa interesa të veçanta që t'i qeshi apo buzëqeshi dikujt; është bërë një me murin ku është ngjitur. I treti, që i kishte sytë të drejtuara nga ne, po për shkak të kohës e motit, duket sikur i ka ndryshuar fare drejtimi i të parit, ai tashmë shikon vetëm lart e nuk na dallon dot më neve këtu poshtë. I katërti, do ende të duket miqësor, por s'arrin dot të thotë atë që do, por thotë vetëm atë që i thonë. I pesti, me dy cepat e sipërm të përkulur. duket sikur ka nisur fluturimin për diku, dhe është për ditë e natë në fluturim, në ballë të punëve të mëdha të përballjes me problemet e hallemadhit popull.
Një shoku im më tha që ka mbi tre muaj që do të takojë deputetin e zonës së tij dhe nuk po mundet. I ka bërë letra, e-maile, mesazhe pafund, i ka dalë tek ish-Komiteti Qendror, tek lulishtja e Kuvendit, tek zyra e shtëpia, por është e pamundur të përballet me të. Ai pretendonte se e njihte mirë, para fushatës, sigurisht, se kishte pasur muhabet dhe se në SMS-në e parë ai i ktheu menjëherë përgjigje, se për momentin ishte në Nju Jork, por sapo të kthehej do e takonte. Duke qenë se nuk kishte ndonjë hall të madh, si shtëpi, punë apo kredi, por thjesht një ballafaqim, ai ishte i bindur se do e bindte deputetin që ta takonte. Kishte ndërmend të vazhdonte me kërkesa deri në fund të mandatit, po qe se nuk do i kërcente damari i ballit apo nuk do e merrte në lule të ballit. Do t'i kërkoja atyre që e kanë për detyrë që t'i heqin këto postera, që të mos i heqin ato. Atje të rrinë në mure e shtylla, të paepur para diellit e shiut, derisa të vijnë zgjedhjet e reja. Dhe në zgjedhjet e tjera, kur të përgatisin posterat e rinj, të vinë t'i venë po aty, pak më lart apo pak më poshtë, por pa i hequr ato të vjetrat. Le të mbeten aty, si një dëshmi e gjallë e asaj që kanë qenë dhe asaj si u bënë.