Fotografi e ëndrrave
Erdhi dhe menjëherë ngriti trofe. David Villa mund të krenohet që fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve në sezonin e tij të parë me Barcelonën, statistikë vështirë për t’u mposhtur.
“Mendoj se bilanci është pothuajse i përkryer, edhe pse jemi mposhtur në finalen e Copa del Rey. Gjëja më e rëndësishme është mënyra si ekipi ishte konkurrent dhe që dha gjithçka në të gjitha garat”, tha Villa gjatë një interviste për Barça TV.
As në ëndrrat e tij më të mira, Villa vështirë se kishte paramenduar se një vit pas transferimit në Barcelonë do të fotografohet me titujt e La Ligës, Ligës së Kampionëve dhe Superkupës së Spanjës, tri garat që fitoi në sezonin e tij të parë me gjigantin katalan.
“Është fotografi të cilën e kam ëndërruar. Jam vërtet i lumtur me mënyrën si kanë shkuar gjërat nga dita e parë e deri në fund. Fati vendosi që të vij te Barcelona dhe jam jashtëzakonisht i lumtur”, shtoi ai.
Villa beson se pavarësisht sezonit të suksesshëm, ata duhet të vazhdojnë zhvillimin dhe të përmirësohen për edicionin e ardhshëm.
Gjiganti katalon fitoi La Ligën për herë të tretë me radhë ndërsa triumfoi edhe në Ligën e Kampionëve duke mposhtur Manchester Unitedin 3-1 në finale në stadiumin Wembley në Londër muajin e kaluar.
Mirëpo Villa i cili iu bashkua Barcelonës nga Valencia verën e kaluar dhe shënoi një gol kundër Djajve të Kuq, beson se ekipi ka ende hapësirë për përmirësime.
“Gjithmonë mund të përmirësohemi. Ne duhet të vazhdojmë në rrugën e njëjtë sërish dhe të mundohemi që vitin e ardhshëm të fotografohemi edhe me më tepër tituj”, theksoi ai.
Villa shënoi 18 gola dhe bëri 10 asistime në 34 paraqitje në La Liga, ndërsa realizoi katër gola në 12 takime të Ligës së Kampionëve.
Duke folur për objektivat e klubit të tij për përforcime në sezonin e ardhshëm, Villa beson se Cesc Fabregas e meriton të kthehet në klubin e tij të fëmijërisë.
Sulmuesi insistoi se do të mirëpriste kapitenin e Arsenalit në Nou Camp, nëse 24-vjeçari vendos të largohet nga Emirates.
Edhe pse sezoni i fundit dëshmoi opsionet e shumta që ka në dispozicion trajneri Pep Guardiola, Fabregas konsiderohet si një futbollist që mund të luajë rol në Nou Camp.
“Si futbollist, të gjithë e dinë se çka përfaqëson Barcelona. Si njeri, Fabregas e meriton të kthehet në Barcelonë, familja e tij është këtu dhe këtu është vendi prej ku ishte nisur. Ta kemi në ekip do të ishte gëzim i madh dhe do të isha i lumtur me të, sepse e meriton. Do të isha i lumtur ta kem për bashkëlojtar”, përfundoi Villa.