E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografi i njohur iberik çel “Vjeshtën spanjolle” në Tiranë



Fotografi i njohur spanjoll Jordi Socias do të çelë “Vjeshtën spanjolle 2009” në Shqipëri, përmes ekspozitës fotografike me 78 punë, ku tregohen momentet kyçe të shoqërisë spanjolle dhe një sërë portretesh të personaliteteve të kulturës europiane përgjatë 40 viteve të fundit. Kështu, në kuadër të Vjeshtës Kulturore Spanjolle “Shqipëria 2009”, Shoqëria Shtetërore për Veprimtarinë Kulturore të Jashtme të Spanjës, SEACEX, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ambasada e Spanjës ofrojnë për publikun shqiptar ekspozitën “Maremagnum”. Jordi Socias bën një retrospektivë mbi tridhjetë vitet e fundit të punës së tij si fotograf dhe dizenjator i njohur. Ekspozita që konsiston në 78 imazhe bardhë e zi dhe me ngjyra, të kontrolluara dhe të përzgjedhura nga vetë artisti do të inagurohet më 8 tetor në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë, ku do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të gjysmës së parë të muajit tjetër. Në këtë edicion të Vjeshtës Kulturore Spanjolle ‘Shqipëria 2009’, organizatorët tregojnë se duan të vënë përballë njëri-tjetrit dhe të promovojnë takimin dhe kuptimin e dyanshëm ndërmjet proceseve të tranzicionit demokratik dhe transformimit të Spanjës e të Shqipërisë, imazhet e Socias, nënkuptojnë një udhëtim nëpër momentet dhe personazhet kyç të metamorfozës së eksperimentuar nga shoqëria spanjolle. Ekspozita përmban gjithashtu një grup imazhesh që autori i përkufizon si “Situata të gjetura”, si dhe imazhe të përditshme të qyteteve si Santiago de Kuba, Pekin, Londër, Barcelonë, Amsterdam etj. Siç thamë, një galeri e gjerë portretesh nuk do të mungojë; janë fotografi përmes të cilave Jordi Socias ka ofruar vizionin personal mbi një numër të rëndësishëm personalitetesh, “çelës” për të kuptuar kulturën spanjolle dhe atë europiane të katër dekadave të fundit. Disa nga emrat e tyre janë Dali, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse, Vittorio Gassman, Alberto Moravia, dhe Bernardo Bertoluçi. Autodidadakt, intuitiv, krijues i një stili personal të trashëguar nga fotografët e mëdhenj, Jordi Socias filloi punën si reporter në dekadën e viteve shtatëdhjetë, duke publikuar fotografitë e tij në revista si “Cambio 16”, “La Calle” dhe “Nuevo Por Favor”. Pioner në dizenjimin grafik, puna e tij si editor në “Cambio 16” pati një influencë të madhe në këndvështrimin fotografik të publikimeve spanjolle të kohës.
Në vitin 1979 ai do të themelojë agjencinë “Cover”, duke i dhënë kështu një koncept të ri kulturës së imazhit të gazetarisë spanjolle. Ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme, ekspozita (individuale e kolektive), libra, katalogë artesh, disqe, filmime dhe postera. Ka dhënë konferenca dhe ka marrë pjesë në kurse, uorkshope e juri (World Press Photo, Fotopress, Caminos de Hierro, PhotoEspaña). Ekspozita shoqërohet nga katalogu “Maremagnum, Jordi Socías 1973-2005”, i cili me 120 fotografitë e tij sjell një kronologji të ilustruar të punëve të artistit.
P. GROSI

“Sarrasine” në galerinë “Promenade” në Vlorë

Në datën 11 tetor Galeria Promenade prezanton ekspozitën e dytë të programit të ri. Ekspozita dopio personale me titull “Sarrasine” prezanton artisten italiane Gaia Fugazza dhe artistin shqiptar Fani Zguro. Në këtë ekspozitë Gaia Fugazza do të prezantojë nië seri kolazh me foto bardh e zi, në të cilat imazhe të arkitekturës së shekullit të kaluar manipulohen nëpërmjet teknikës së kolazhit, duke krijuar vizionin e një arkitekture më tepër surreale se sa funksionale. Ndërkaq, Fani Zguro do të prezantohet me një seri videosh bardh e zi të realizuara midis viteve 2006 dhe 2009. Këto video konsistojnë në manipulime dhe referime filmash shqiptarë të viteve ’70, ku zhanri i tyre “noir” manipulohet në ekstrem për të krjuar kontekstin e vërtetë të ngjarjeve dhe njëkohësisht, karakterin grotekst, i cili ngrihet në film si një kurth social. Ekspozita do të qëndroië e hapur deri në datën 1 nëntor

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›