E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, Qeveria, ndihmë Serbisë një miliardë dollarë



Rusia bëri të ditur se do t’i japë Serbisë një miliardë dollarë hua për ta mbuluar deficitin e buxhetit dhe për investime në infrastrukturë. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së presidentit rus Dimitri Medvedev në Beograd më 20 tetor. Ministri i Financave i Rusisë, Aleksej Kudrin tha se pjesa e parë prej 350 milionë dollarësh për deficitin e buxhetit do të jepet këtë vit, ndërsa 650 milionë dollarët për projektet e infrastrukturës në vitin e ardhshëm. Lidhur me këtë hua nuk bëhen të ditura detaje të tjera për momentin, megjithatë serish Serbia vlerëson se Rusia është partneri i saj më i rëndësishëm.

Pakistan
Talibanët marrin përgjegjësinë për sulmin

Talibanët e Pakistanit kanë marrë përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës ndaj zyrave të OKB-së në Islamabad, nga i cili u vranë pesë vetë. Talibanët thanë se ndihmat humanitare nuk janë “në interes të myslimanëve”. Zëdhënësi i talibanëve, Azam Tarik, tha se grupi i tij e ka sulmuar selinë e Programit Botëror për Ushqim të Kombeve të Bashkuara për shkak se OKB-ja dhe grupet e jashtme humanitare janë “të pafe”. Ky zëdhënës tha se talibanët do të ndërmarrin edhe më tepër sulme kundër caqeve pakistaneze dhe amerikane. Ministri i brendshëm i Pakistanit, Rehman Malik, kishte fajësuar militantët talibanë për këtë sulm.

Koreja e Veriut
Pheniani mund të kthehet në bisedime

Koreja e Veriut thotë se dëshiron të shqyrtojë kthimin në bisedimet gjashtëpalëshe për programin e armëve bërthamore. Oferta erdhi pasi udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong-il, zhvilloi bisedime me kryeministrin kinez, Uen Jiabao që po viziton vendin.
Këto komente u raportuan nga mediat e të dyja vendeve. Në fillim të vitit Koreja e Veriut tha se kishte hequr dorë nga bisedimet gjashtëpalëshe. Por Kina, aleatja e saj e vetme reale duket se e ka bindur zotin Kim të ndërrrojë mendje. Megjithatë Koreja e Veriut thotë se çdo kthim në bisedime do të varet nga përparimi në bisedimet e planifikuara bilaterale me Shtetet e Bashkuara.

Holandë
Seancë për Karaxhiçin në Hagë

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç doli para Gjykatës së Krimeve të Luftës në Hagë. Ndaj tij ka 11 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit, përfshirë gjenocid mbi masakrën e rreth 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnjë. Radovan Karaixhiç u ka thënë gjykatësve se ka nevojë për dhjetë muaj të tjerë që të përgatisë çështjen. Gjithashtu ka tensione midis gjykatësve dhe prokurorëve të çështjes që mund të shkaktojë vonesa, ndërsa pala paditëse po i reziston presionit për t’i hequr atij disa akuza. Gjykatësit duan që të përfundojnë procesin gjyqësor brenda 2 vjetëve.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›