Greqi, Papandreu shpall kabinetin e ri qeverisës të vendit
Kryeministri i ri i Greqisë, Jorgos Papandreu shpalli përbërjen e qeverisë së tij dhe sot pritet të kryejë betimin para presidentit të republikës. Fituesi i zgjedhjeve të 4 tetorit, Jorgos Papandreu mori të hënën mandatin për krijmin e qeverisë, struktura dhe përbërja e së cilës do të pasqyrojë angazhimet e platformës së zotit Papandreu, që kanë si prioritet reformimin e institucioneve shtetëroe dhe administratës si dhe forcimin e transparencës. Me këtë rast, Papandreu bëri publik vizionin e tij për qeverisjen, që do të bazohet në një qeveri të reduktuar, ku shumë prej ministrive eksistuese do të shkrihen ose bashkohen me të tjera. “Qeveria ime do të ketë sigurisht numër më të vogël titullarësh dhe do të funksionojë më me eficencë për vendin dhe qytetarin”,- tha zoti Papandreu një javë para zgjedhjeve. Ai solli shembulin e krijimit të tri ministrive, të financave, të mjedisit dhe të mbrojtjes së qytetarit, duk thënë se këto shënojnë dhe tri prioritetet e mëdha të qeverisjes së re.
Disa ministri të tjera do të riemërtohen, për të theksuar më së shumti filozofinë e re që zoti Papandreu kërkon të injektojë në funksionimin e shtetit. Ai e ka cilësuar si një revolucion risinë e tij për kompozimin në këtë mënyrë të qeverisë. Kështu, grekët tani e tutje do të duhet të mësohen me emra të rinj ministrish, që ndoshta as i kishin imagjinuar. Ministria e Rendit do të quhet Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit dhe do të përfshijë edhe shërbimin zjarrfikës dhe mbrojtjen civile, asaj të Drejtësisë do t’i bashkohet edhe pjesa e të Drejtave të Njeriut. Ministria e Infrastrukturave do të përfshijë veprat publike dhe transportet.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave ndahen dhe krijohen dy ministri autonome: e Ekonomisë dhe e Zhvillimit, dhe Ministria e Financiave. Greqia do të ketë për herë të parë një ministri të Mjedisit, ndërsa rikthehet pas shumë vitesh ministria e Energjisë. Në krye të këtyre ministrive do të vihen figura të shquara të PASOK-ut dhe nuk përjashtohet që një pjesë e tyre t’i përkasin një krahu më të moshuar, por që në momentin e parë u rreshtuan përkrah Jorgos Papandreut, kur ky i fundit, pesë vjet më parë, filloi një punë sistematike për reformimin e partisë. 30 për qind e ministrave do të jenë femra. Kryeministri, që flitet se do të mbajë edhe portofolin e ministrit të Jashtëm, do të mbikqyrë personalisht punën e vartësve të vet, nëpërmjet një shtabi me bashkëpunëtorë shumë të ngushtë.
Beograd, prezantohet lista e të dëmtuarve nga lufta në Kosovë
Të dhënat për të vrarët, të zhdukurit dhe të vuajturit në Kosovë, periudhën 1998-2000 u prezantuan dje në Beograd nga Fondi për të Drejtën Humanitare i cili prej tre vjetësh po punon lidhur me grumbullimin e të dhënave. Drejtoresha e Fondit, Natasha Kandiç, thotë se në këtë dokument janë përfshirë 95 deri në 98 për qind nga numri i përgjithshëm i viktimave, i atyre që kanë vuajtur, janë vrarë apo janë zhdukur. Tani jemi në fazën përfundimtare, kur po përpiqemi që me organizimin e paraqitjeve publike, t’i verifikojmë të dhënat përpara se të themi: Më në fund jemi të sigurt se numri i viktimave është i dokumentuar me emër dhe mbiemër”,- thotë Kandiç. Sipas saj, regjistri përfshin viktimat në Kosovë në periudhën 1998-2000. “Fjala është për një regjistrim të emrave të të vuajturve, të vrarëve dhe të zhdukurve në Kosovë prej janarit të vitit 1998 deri në fund të dhjetorit, 2000”,- thotë Natasha Kandiç. Sipas saj, hartimi i kësaj liste është tepër i rëndësishëm, pasi duket të kthehet dinjiteti i viktimave në familjet e tyre.
7 Tetor 2009