Ministri Ferdinand Xhaferri shpall prioritetet e turizmit
Petrika GROSI
Ministri i ri i Turizmit dhe Kulturës, Ferdinand Xhaferri këto ditë ka marrë pjesë në një takim të rëndësishëm ndërkombëtar siç ishte sesioni i 18-të i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit në Astana të Kazakistanit. Nga data 5-7 tetor, me ftesë të Organizatës Botërore të Turizmit (OBT), një delegacion i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i kryesuar nga ministri Xhaferri është aktiv në punimet e këtij sesioni, i cili u përshëndet nga presidenti i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbayev dhe nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Në aktivitetin në fjalë marrin pjesë delegacione nga 154 shtete anëtare të OBT-së. Në përbërje të delegacioneve janë mbi 90 ministra të turizmit nga vende të ndryshme të Europës, Azisë, Afrikës dhe Amerikës. Në axhendën e Asamblesë, krahas tematikave që lidhen kryesisht me krizën ekonomike dhe sfidat me të cilat shtetet po përballen për të rekuperuar situatën, ishte edhe zgjedhja e shteteve që do të kryesojnë Komisionet Rajonale të OBT-së nga të katër kontinentet, zgjedhja e shteteve anëtare të Këshillit Ekzekutiv të Organizatës, si dhe zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës, një zgjedhje e cila mbahet çdo tre vjet. Në fjalën e tij para Asamblesë, ministri Xhaferri mes të tjerash u shpreh se “Sipas rekomandimeve te Organizatës, slogani i ditës botërore të turizmit për këtë vit ishte ‘Duke festuar diversitetin’. Me këtë slogan, OBT na ka servirur edhe një përcaktim shumë të saktë, se ku duhet të synojmë për t’i bërë vendet tona tërheqëse në fushën e turizmit.” Më tej, ai vijoi se “Natyrisht që Shqiperia i ka të gjitha potencialet për një turizm të shumëllojshëm. Pra, krahas turizmit të diellit dhe të rërës, ne kemi një potencial të madh për të zhvilluar turizmin kulturor, historik dhe fetar. Mjafton të përmendim se qyteti antik i Butrintit, si dhe dy qytete të rëndësishme të vendit, Gjirokastra e Berati tashmë janë shpallur ‘pasuri boterore të njerëzimit’ nga UNESCO.” Sipas ministrit Xhaferri, edhe ekoturizmi dhe agroturizmi, së bashku me turizmin malor dhe atë të aventurës, po vijnë duke u intesifikuar, ndërkohë që po përgatitemi për të hedhur hapat e parë drejt turizmit shëndetësor. Xhaferri deklaroi gjithashtu se “Turizmi është një nga kolonat baze ku ka filluar të mbështetet ekonomia shqiptare. Sot kontributi i tij në ekonominë shqiptare është 11% dhe numri i të punësuarve në këtë fushë është rreth 140.000.” Sfida e radhës mbetet që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion turistik të kërkuar. “Jemi të bindur se diversiteti në turizëm kërkon që të ndërhyhet më cilësisht në restaurimin e vlerave më të qenësishme të trashëgimise kultorore materiale, dhe po kështu, kërkon që të vazhdohen reformat në institucionet e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Këto reforma do të synojnë krahas ruajtjes së traditës edhe një ballafaqim të drejtpërdrejtë të produktit të institucioneve të trashëgimisë kulturore shpirtërore me konsumatorin turistik. Pra, sfida të rëndësishme presin industrinë e turizmit në vend dhe ne jemi optimistë për të ardhmen, sepse e dimë shumë mirë se nga nisemi dhe kemi një vizion të qartë se ku duhet të shkojmë” tha Xhaferri.
Me qëllim, nxitjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në fushëm e turizmit, ministri shqiptar i TKRS zhvilloi edhe disa takime të veçanta me homologët e Malit të Zi, Turqisë, Qipros, Bullgarisë, Sllovenisë dhe Egjyptit.
Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet e bashkëpumimit në fushëm e turizmit, kryesisht në drejtim të: promocionit, shkëmbimit të eksperiencave në fushën e legjislacionit, trajnimeve, arsimimit etj.
e
7 Tetor 2009