Sezonet e “zeza” të Vllaznisë
Vllaznia e fundit. Duket e pabesueshme, që klubi më i vjetër në Shqipëri – 9-herë kampion, 6-herë fitues i Kupës - të renditet shumë poshtë një skuadre si Gramozi, debutuese për herë të parë në Kategorinë Superiore. Në gjashtë javët e para Vllaznia si nën drejtimin e Hasan Likës (5 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim, 3 humbje) ashtu dhe në debutimin e Roland Luçit (1 ndeshje, 1 humbje) ka grumbulluar vetëm 4 pikë. Më tragjikja, skuadra e 3-herë golashënuesit më të mirë të Shqipërisë, Vioresin Sinanit, ka shënuar vetëm 1 gol në 540 minuta lojë: sulmi më i dobët në kampionat. Në fakt, ky “kopjim i Partizanit” të sezonit të kaluar nga ana e Vllaznisë, ka alarmuar jo pak kampion shkodran.
Dhe në të vërtetë, Vllaznia ka qenë edhe disa herë të tjera në buzë të greminës. Në sezonin 1956, Vllaznia, me emrin e çuditshëm, Puna e Shkodrës, u rendit e 9-ta nga 10 ekipe të atij kampionati: 16 ndeshje; 4 fitore, 4 barazime, 8 humbje, duke lënë pas vetëm Punën e Beratit, sot Tomori (dergjet në Kategorinë e Dytë). Në sezonin 1960, Vllaznia u rendit e 9-ta nga 10 ekipe të atij kampionati: 18 ndeshje; 4 fitore, 4 barazime, 10 humbje, duke lënë pas vetëm Lokomotivën e Durrësit, sot Teuta. Në sezonin 1963-1964, Vllaznia e përfundoi në vendin e parafundit, të 11-n, kur në 22 ndeshje, fitoi vetëm 4, barazoi 6 e humbi plot 12 të tilla, duke lënë pas vetëm Luftëtarin e Gjirokastrës.
7 Tetor 2009