E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografia si gjuhë

Ekspozita me fotografi e Burim Myftiut, mblodhi në GAK artistë, fotografë, gazetarë dhe vizitorë të shumtë. Nga Arbër Ymeri më 21 prill 2011 në ora 09:25

Të martën në orën 20, në Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës, në Prishtinë, u hap ekspozita personale e fotografit, Burim Myftiu. Në ekspozitën e emëruar “Utopia në Kaos”, Myftiu prezanton 67 fotografi.

“Kjo është ekspozita ime më e rëndësishmja, sepse është në Prishtinë. “Kjo nuk është vetëm e imja, por kjo është e të gjithë neve”, u shpreh Myftiu në hapje.

“Gjuha ime është fotografia, andaj edhe nuk kam tjetër çfarë të them”, përfundoi ai.
Ndryshe, Burim Myftiu është fotograf kontemporan, i cili punën e tij si fotograf e filloi në fillim të viteve të 80’a. Pas përfundimit të Fakultetit Filologjik, në Universitetin e Prishtinës, Myftiu specializoi për fotografi komerciale në NYIP, në New York.

Aktualisht, është anëtar i Këshillit të Artëve i New Haven, në Connecticut, por është i lidhur ngushtë edhe me disa iniciativa në sferën e fotografisë, të filmit dhe të artit në SHBA dhe Evropë. Gjithashtu, ishte anëtar i jurive në festivalet e filmit, konkurset e fotografisë dhe ngjarje të ngjashme ndërkombëtare.

Puna e Burim Myftiut është prezantuar edhe në disa botime, libra, galeri, koleksione dhe ekspozita të fotografisë në SHBA, Evropë dhe Kosovë. Është e njohur ekspozita e tij “Kosova Mon Amour”, në Galerinë Ndërkombëtare të Arteve në Yale, 2000, New Haven.

Ekspozita do të jetë e hapur dy javë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›