Lagështira rrezikon fondin e bibliotekës së Durrësit
Problemet e shumta, në lidhje me kushtet në të cilat gjendet fondi i bibliotekës publike të Durrësit, kanë detyruar stafin drejtues që të bëjë një apel për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi. Gjendja aktuale e bibliotekës cilësohet e rëndë, për shkak se godina është një ndërtim i viteve ’20-’30 dhe në vitin 1997 i është kthyer ish-pronarit të saj. Në godinën aktuale mungojnë hapësirat e domosdoshme për lexuesin, si sallat shkencore, salla elektronike, të ekspozitave dhe salla e fonotekës. Ajo që është rreziku më i madh për materialet që ruhen në këtë godinë, është niveli i lartë i lagështirës, i cili vlerësohet se është rreth 80 për qind.
Ndonëse prej vitesh godina aktuale, e cila është godinë me ish pronar, ka shkaktuar dëmtime serioze të fondit të bibliotekës, edhe Bashkia e Durrësit nuk ka mundur të sigurojë një ndërtesë apo truall për transferimin apo ndërtimin e godinës së re. Me një kërkesë për ngritjen e godinës së re dhe propozimet për vendndodhjen më të mirë të saj, stafi drejtues i bibliotekës synon që më në fund të merret një vendim. Drejtoresha e bibliotekës publike në Durrës, Flora Dervishi, është shprehur se nuk mund të qëndrojnë më në këtë godinë pasuria e bibliotekës, e cila në këtë moment ruan në fondin e saj plot 261 913 njësi bibliotekare. Konkretisht stafi drejtues i bibliotekës propozon që biblioteka rajonale duhet parë si arkivuese dhe menaxhuese e informacionit, nëpërmjet formatit të shkruar dhe atij elektronik. Në kërkesën që i është drejtuar shumë shoqatave të artit e kulturës, përveç instancave shtetërore në Durrës, është kërkuar që të merren në shqyrtim 6 propozime, për vendndodhjen e godinës së re të bibliotekës. Sipas këtyre propozimeve, biblioteka e re mund të ndërtohet tek ish godina e kinoklubit të portit, te hapësirat anësore të mauzoleumit të dëshmorëve, në dy kate shtesë që mund të ndërtohen te mauzoleu, në ndërtesën aktuale nëse negociohet me pronarin e saj, në dy kate të para të pallateve të rinj, që ndërtohen nga biznesmenë privatë, ose mbi kapitelet që janë pas ndërtesës së Pallatit të Kulturës. Pavarësisht propozimeve që janë bërë së fundmi, në KRRT e Bashkisë së Durrësit, që në vitin 2002 është dërguar një skicë-ide në të cilën që në fillim është kërkuar që sipërfaqja e truallit për bibliotekën e re, duhet të jetë të paktën 660 metër katror. Premtimet dhe debatet për bibliotekën e re janë zhvilluar pothuajse rregullisht në prag të fushatave elektorale, por me përfundimin e zgjedhjeve, problemi i bibliotekës është harruar. Me kërkesën e fundit që ka bërë stafi drejtues i bibliotekës në Durrës synohet që të sensibilizohet çështja tek aktorë dhe faktorë që mund të kenë ndikim në zgjidhjen e këtij problemi. Ndër faktorët e përmendur në këtë kërkesë, tek të cilët është drejtuar stafi i bibliotekës, janë renditur midis të tjerave edhe dhoma e tregtisë, shoqata e biznesmenëve, klubi i shkrimtarëve, shoqata “Durrësi”, shoqata “Ulqini”, si dhe shoqata në dobi të gruas.