E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria vendos krijimin e Teatrit të Komedisë

Ngritja e Teatrit të Komedisë, tashmë mbetet çështje ditësh pas vendimit që mori dje Këshilli i Ministrave për krijimin e tij. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Sali Berisha ndër të tjera tha se: “Qeveria miraton ngritjen e këtij teatri, si një vendosmëri për të mbështetur fuqishëm komedinë e satirën shqiptarë, duke përmbushur në këtë mënyrë edhe një premtim të bërë pak kohë më parë. Teatri i Komedisë do të bëhet një promotor i fuqishëm i zhvillimit të këtij zhanri, të kësaj gjinie themelore për letrat, letërsinë, artet skenike dhe artet e tjera të vendit. Ministrit të Kulturës i është kërkuar që të sjellë në qeveri edhe vendimin për Cirkun Kombëtar”, - tha ai. Gjithashtu, qeveria është e vendosur që cirkun ta shndërrojë në një institucion kombëtar e t’i japë mbështetje të fuqishme. “Mbështetja e institucioneve kulturore do të jetë një drejtim kryesor. Mbështetja që është dhënë dhe që do t’i jepet Operës, Teatrit Kombëtar, Teatrit të Komedisë, Cirkut, Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, pasi ne nuk do të pranojmë që të humbasim asgjë nga trashëgimitë më të pasura kulturore që kemi, përbën një nga mënyrat më të mira të përfaqësimit të vendit. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria vizitohet nga mbi 3.5 milionë turistë dhe detyrimet tona janë të mëdha, që ata të mund të ndjekim veprimtari artistike në kryeqytet apo zona të tjera”, - tha Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›