E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e regjisorit Hysen Hakani

SHKRUAN: Aida Tuci 10-02-2011 11:42

Nuk pretendonte të ishte domosdoshmërisht i pari regjisor shqiptar, por në asnjë mënyrë, nuk dëshironte që të ishte kineasti i fundit, por ai ishte në fakt i pari regjisor që realizoi një film artistik në Shqipëri. E kështu u përcoll dje për në banesën e fundit regjisori i parë i filmit artistik me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, Hysen Hakani. Themeluesi dhe skenaristi i veprave të para kinematografike të Kinostudios ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. I nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”, Hakani i ka dhuruar kinemasë shqiptare një sërë filmash si "Debatiku", "Njësiti gueril", "Toka jonë", "Oshëtimë në bregdet", “Cirku në fshat”, “Një ndodhi në port”, “Lundrimi i parë”, “Plaku dhe hasmi”, si dhe një sërë dokumentarësh. Në homazhet e mbajtura gjatë paradites së sotme, në Teatrin Kombëtar morën pjesë miq, kolegë dhe artistë, të cilët kanë bashkëpunuar me pionerin e kinemasë shqiptare. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisorit, që i hapi udhën kinematografisë shqiptare, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot në mesditë homazhe, po ashtu si edhe Presidenti Bamir Topi. Duke e vlerësuar atë si një nga personalitetet më të mëdha të artit skenik, Kryeministri Berisha ndër të tjera u shpreh: “Erdha për të shprehur nderimin dhe respektin tim më të madh, ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të thella, për themeluesin e filmit shqiptar, regjisorin e talentuar z. Hakani, i cili në një krijimtari të disa dekadave dha një ndihmë cilësore, në filmin dhe artet skenike të vendit. Nën regjinë dhe veprat e tij u formuan artistë të mëdhenj të kombit, të cilët i bënë të pavdekshme krijimet e regjisorit të nderuar”. Ndërsa Presidenti Topi shprehu vlerësimin për atë që ai e quajti themelues të kinematografisë shqiptare: “Shpreh këtë brengë që na shoqëron në mënyrë të vazhdueshme, duke përcjellë nga bota jonë reale njerëzit, të cilët kanë vendosur themelet e artit dhe të kinematografisë shqiptare. Hysen Hakani ishte njëri prej tyre dhe padyshim, përveç vlerave të veçanta si artist, ai ka marrë një notë të lartë qytetarie, duke lënë në memorien e kombit dhe në memorien tonë arritjet e kombinimit të vërtetë që ekziston midis atij që është njeri në radhë të parë dhe e dyta, të një artisti të madh”, - tha Topi.

“Fëmijët e saj”, filmi i parë shqiptar

“Fëmijët e saj” është filmi i parë shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1957, me regji dhe skenar nga Hysen Hakani dhe me muzikë nga Tish Daija. Ngjarjet e filmit zhvillohen në Shqipërinë e viteve ’50, në një fshat të thellë malor, ku një qen i tërbuar kafshon djalin e Fatimes. Doktori i fshatit e këshillon Fatimen të vrapojë në qytet, për t’i bërë tetanosin, por ajo e çon fëmijën te Remja, një grua që shëron duke përdorur magjinë. Sëmundja e djalit të vogël përparoi dhe ai vdiq. Atëherë ishte viti 1957. Deri më atëherë në Shqipëri nuk ishte prodhuar asnjë film artistik. Kështu Hysen Hakani do të ishte i pari regjisor dhe skenarist që, sipas mësimeve që kishte marrë në Çeki, të prodhonte filmin e parë me metrazh të shkurtër, e Kinostudios Shqipëria e Re. Në karrierën e tij artistike renditen filma që kanë bërë historinë e kinemasë shqiptare, si “Debatik”, me bashkëregjisor Gëzim Erebarën, “Toka jonë”, “Njësiti gueril”, etj. Për filmi "Debatik" regjisori Hakani do të shprehej gjithmonë se ai ishte filmi i tij i parapëlqyer. Përpos kinemasë, ai është marrë edhe me letërsi, duke shkruar disa libra.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›