E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati mafioz në Tiranë, dy pistat e vrasjes së 34-vjeçarit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 30-07-2011 10:01

Tiranë- Një 34-vjeçar me profesion jurist, por i njohur më së shumti për miqësitë e tij me personazhe të njohur të botës së krimit në Tiranë, u ekzekutua në një atentat, në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Tetë plumba pistolete i kanë marrë jetën Sokol Doçit, në kohën që po parkonte makinën, poshtë pallatit të tij. Atentati i stilit mafioz ndodhi në orën 1:15 minuta të mëngjesit të së premtes në rrugën “Shyqyri Ishmi” në Tiranë, diku pas shkollës “1 Maji”, ku edhe banonte viktima. Në bazë të hetimeve të deritanishme dyshohet se autorët e ngjarjes kanë qenë me motor dhe kanë qëndruar në pritje të Doçit, poshtë pallatit të tij. Në momentin që kanë parë të afrohej viktima, ata kanë hapur zjarr duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas janë larguar duke humbur gjurmët, të ndihmuar nga errësira dhe zona mes pallatesh, ku ndodhi vrasja. Policia është lajmëruar nga banorët e lagjes, të mbledhur aty pas krismave asgjësuese të pistoletës. Pas ekspertizës së vendit të ngjarjes dhe marrjes së dëshmive të para, është vendosur ngritja e një grupi të posaçëm hetimor për zbardhjen e krimit, i cili rezulton të jetë i planifikuar deri në detaje. Në fokus të grupit hetimor ka qenë gjetja e ndonjë dëshmitari okular, që mund të identifikonte autorët e vrasjes së Doçit, por të vetmit persona që kanë qenë jashtë në atë orë të natës ishin disa të rinj, të cilët ishin në një lokal afër vendit të ngjarjes. Ata kanë qenë edhe dëshmitarët e parë të policisë, të cilët kanë zbardhur rrethanat e krimit, por jo të dhëna mbi ekzekutorët. “Sokol Doçi ka qenë duke parkuar makinën e tij poshtë pallatit. Sapo ka hapur derën, është qëlluar disa herë me plumba, e më pas kemi dëgjuar zhurmën e një motori që largohej me shpejtësi”, - mësohet të kenë thënë të rinjtë në dëshminë e tyre. Nga ana e saj, Policia e Tiranës ka ngritur pistat e para të hetimit, përmes së cilave shpreson zbardhjen e atentatit që i mori jetën Sokol Doçit. Në krye të listës së grupit hetimor renditet shoqëria e juristit 34-vjeçar, ish-punonjës i Entit të Banesave, me disa personazhe të njohur mirë nga policia, njëri prej të cilëve ndodhet në burg. Në këtë kuadër, ekzekutimi mafioz po hetohet përmes të kaluarës së viktimës dhe natyrës së marrëdhënieve të tij me këto personazhe. Një pistë e dytë, më pak e besueshme se e para, është ajo e konflikteve për shkak të ndërtimeve në Tiranë. Burime nga policia e Tiranës i thanë MAPO-s se të afërm të Doçit merreshin me biznesin e ndërtimeve e kohët e fundit ata po përpiqeshin për një pallat në njërën prej zonave më të preferuara të Tiranës.

Për të sqaruar këto dyshime, Policia e Tiranës ka marrë në pyetje të afërm dhe miq të viktimës, për të mësuar në lidhjet me ndonjë konflikt që mund të ketë pasur gjatë kohëve të fundit, që mund të ketë sjellë si pasojë këtë ngjarje. Deri tani, të dhënat e mbledhura prej tyre kanë qenë të pakta. Të afërmit e Sokol Doçit kanë pohuar se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti të tij e se nuk kishin vënë re asnjë shqetësim kohët e fundit. Për zbardhjen e këtij ekzekutimi, i disati gjatë kohëve të fundit në Tiranë, policia ka shoqëruar një numër të madh personash, të cilët pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me atë që kanë parë në momentin e ngjarjes, janë lënë sërish të lirë. Nga ana e saj, Policia e Tiranës është duke vijuar hetimet dhe mbledhjen e provave që do të çojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›