"Zhurma shërben si muzikë në sfond, e ndërsa pluhuri si tym skenik"
S'qe e thënë që një herë të vetme të paktën të bëheshin gjërat siç duhet, në këtë vend ku çdo gjë bëhet mbrapsht. Në universitetin ku unë studioj, në Elbasan, ambienti nuk ngjan fare me një "vend kulture". Për çdo ditë ne jemi të detyruar të durojmë pluhurin dhe zhurmën që zgjat pafund. Pedagogët shpjegojnë, zhurma shërben si muzikë në sfond, e ndërsa pluhuri si tym skenik.
Për një kohë të gjatë, disa degë u larguan nga godina qendrore e universitetit pasi do fillonte rikonstruksioni i saj. Para dy muajsh na rikthyen aty. Por përse? Këtë pyetje ia bëj shpesh vetes. Ndoshta nga dëshira që kishin që mësimi të zhvillohej normalisht!!! Ndoshta afati përfundimtar mbaroi dhe ata që të ishin në rregull me veten dhe me të tjerët, na transferuan!!! Po ku na çuan? Më mirë të rrinim një vit pushim e të vazhdonim më pas studimet sesa të vijmë dy muaj në auditorë, sa për të kaluar radhën pasi edhe për pedagogët edhe për ne, është shumë e vështirë.
Ritmet e punimeve duhet të ishin përshpejtuar, ndërsa ato kanë ngecur në vend. Askush s'do t'ia dijë se ç'bëhet me ne. Dikush na thotë protestoni, por në protestë s'vjen askush (ata që e thonë). Me siguri që viti akademik tjetër, do fillojë sërish me zhurmën dhe pluhurin të pranishëm??? Ndoshta kanë gjetur një zgjidhje tjetër. Në vend të pedagogëve, do lenë pluhurin dhe zhurmën që të na mësojnë e të na japë diplomë.