E Diel, 1 Nëntor 2026

Fqinjët refuzojnë pjesmarrjen në inaugurimin e Nikoliç

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Serbisë, Tomisllav Nikoliç, të caktuar për të hënën në Beograd.

Kabineti i presidentit të Maqedonisë njoftoi se Ivanov javën e ardhshme do të marrë pjesë në konferencën e Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore në Beograd, me ç`rast pritet të ketë takimin e parë me homologun e tij serb.

Para tij, edhe kryesuesi i Presidencës treanëtarëshe të BeH-së, Bakir Izetbegoviç deklaroi se nuk do të marrë pjesë më 11 qershor në inaugurimin e presidentit serb, sepse, siç theksoi, paraqitjet e tij të para nuk i kanë dhënë optimizëm.

“Presidenti Nikoliç në periudhën e kaluar deri diku e ka ndryshuar retorikën, por me deklaratat për Srebrenicën e Vukovarin, si dhe për kombin malazez, përkujtoi anën e errët të veprimit të tij politik.

Ai në deklaratë për mediumet turke tha se BeH-ja dhe Serbia janë fqinjë, të cilët duhet të vazhdojnë të bëjnë hapa drejt rikthimit të besimit”.

Në inaugurimin e presidentit Nikoliç, siç është komunikuar më herët, nuk do të shkojë as presidenti i Sllovenisë, Danilo Türk, i cili ka thënë se nuk e ka zakon të shkojë në inaugurime të presidentëve, si dhe presidenti kroat, Ivo Josipoviq.

Ardhjen e ka paralajmëruar vetëm presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç.

Natyrisht, në inaugurim nuk do të jetë as presidentja e një shteti tjetër fqinj të Serbisë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›