E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fqinjët të çlirohen nga shqiptarofobia

18-05-2012 / Nga Sali Berisha

E nderuar zonja President e Kosovës Atifete Jahjaga,
I nderuar zoti Kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës,
Zotërinj ministra, ambasadorë,
I nderuar kryetar i Komunës së Prizrenit,
Të nderuar fëmijë, qytetare dhe qytetarë të Prizrenit,
Do ta nis fjalën time duke falënderuar përzemërsisht zonjat Saranda Pozhegu, Mimoza Gjokutaj, zotërinjtë Islam Krasniqi dhe Shezai Rrokaj, për këtë kryevepër të dijes, që i dhuruan sot fëmijëve të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar, abetaren e parë të njësuar të bashkuar, e cila vjen sot, në këtë sallë, në këtë qytet, si një bukuri e rrallë e shqiptarëve, që ka renduar në shekuj për të ardhur tek ju, bijtë e Prizrenit, bijtë e mbarë kombit shqiptar.
Zotërinj ministra,
Një falënderim të përzemërt për ju, për vendosmërinë, përkushtimin që keni treguar në realizmin e abetares së parë të të gjithë shqiptarëve. Këtij libri të të gjithë librave, këtij teksti të të gjitha teksteve. Ju falënderoj që zgjodhët kryeqytetin shpirtëror, zgjodhët kryeqytetin e idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, Prizrenin, për promovimin e saj.
Ju ftoj zotërinj ministra të prini në këtë rrugë. Rruga  e dijes është rruga e dritës, është rruga, për të cilën kanë më shumë se çdo gjë tjetër shqiptarët.
Të dashur fëmijë,
Libri që ju merrni sot është abetarja më e re që botohet në trevat shqiptare, por ajo së bashku me germat, me figurat e mrekullueshme dhe dua të përgëzoj ata që e kanë ilustruar, ajo mbart ëndrrën e dhjetëra, qindra gjenerata të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një abetare të përbashkët. Ajo mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohërat e Skënderbeut deri në luftëra çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Ajo mbart  idealin e lirisë së shqiptarëve, mbart idealin e bashkimit të tyre, si ideali i përjetësisë kombëtare. Abetarja juaj shënon arritjen historike të përpjekjes së shqiptarëve për mbrojtjen, zhvillimin kultivimin e kulturës së tyre, për vendosjen e saj në themelet e së ardhmes së tyre.
Të dashur fëmijë,
Nuk duhet të harroni kurrë, se abetarja ka jo vetëm ëndrrën, por ka me qindra jetë të flijuara, që ju të jeni të lirë, që ne te jemi të lirë, që ne, si komb, aty ku jemi, të ndërtojmë të ardhmen tonë, të ardhmen e shkëlqyer që meritojmë, krenarë me qëndresën tonë, të vendosur me të ardhmen tone evropiane, kombi shqiptarë kurrë në historinë e tij nuk ka qenë më i bashkuar, më i sigurt në të ardhmen e  tij që meriton.
Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e dijes, mund t’i bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga Prizreni, para jush, ju bëj një thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë nga Alaska në Afrikën e Jugut, krahas qumështit të mos harrojnë abetaren shqipe, me fëmijët e tyre.
Të dashur fëmijë,
Abetarja, ju dorëzohet juve sot, pas 160 vjet përpjekjesh mbinjerëzore për liri dhe dinjitet të shqiptarëve, ju dorëzohet pas ngadhënjimit të tyre mbi të gjitha racizmat, mbi të gjitha armiqësitë e egra padrejtësitë e mëdha, por ju duhet të jeni krenarë se mblidhemi sot, pasi ne kemi ngadhënjyer mbi të gjitha, jo se jemi komb i zgjedhur i Zotit, por se jemi në të drejtën tonë, jemi në kulturën tonë, jemi në trojet tona. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë për projektin e bashkimit kombëtarë të shqiptarëve në projektin e madh Evropian. Ne sot jemi më të vendosur se kurrë të ndërtojmë kudo që jetojmë vlerat e mëdha të qytetërim Evropian. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë të punojmë me përkushtim për paqen, stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Nga Prizreni, dua tu themi fqinjëve tanë, çlirojuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmit të trashëguar tuajin. Shqiptarët janë një komb, që dinë të ruajnë dhe të mbajnë miqësira, por gaboheni rëndë në qoftë se vazhdoni të shfaqni shqiptarofobinë tuaj me skena si ato të Preshevës, të cilat faktojnë se jemi akoma shumë prej jush në stadet primitive.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Prizrenit, Abetarja është hapi i parë i madh në rrugën tonë, tekste të tjera, projekte të tjera, duhet të vazhdojnë me intensitet në mënyrë që energjia  e kombit të njësuar të shtyjë kombin drejte hapësirave të reja.
Le të vazhdojmë ne, me tekstin e  gjuhës se asgjë nuk kemi në shpirt me të bukur se gjuhën tona amtare.
Le ta shndërrojmë atë ne, në tekstin kryesor të shkollës sonë parauniversitare, lë te bëjmë  që çdo shqiptarë të rrokëzojë fjalët e bukura të gjuhës sonë më mirë se kurrë më parë. Le të bëjmë gjithçka, që gjuha shqipe të jetë lënda më eprore e sistemit tonë shkollor.
Vëllezër dhe motra,
Dhe njëherë dua të falënderoj shumë, autorët e këtij teksti të falënderoj shumë me mirënjohjen më të thellë, të përulem me nderim të madh këtu në Prizren, para të gjithë atyre që sakrifikuan gjithçka patën, që ne të mund të mblidhemi sot dhe të festojmë abetaren e përbashkët.
Të falënderoj qeverinë e Kosovës, komunën e Prizrenit për këtë organizim të mrekullueshëm të kësaj ngjarje historike. Faleminderit dhe gëzuar për të gjithë shqiptarët”.
* Fjala e mbajtur nga Kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e promovimit të abetares së re, në Prizren

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›