Muho: Luftëtari po kthehet në superiore për të qëndruar gjatë
Drejtori ekzekutiv i ekipit gjirokastrit, Qazim Muho, thekson se suksesi që po arrihet me kaq sakrifica nuk duhet të dalë flluskë sapuni
Pavarësisht humbjes që Luftëtari pësoi nga Lushnja, në Gjirokastër, shumica absolute e atyre që e ndjekin ekipin janë të bindur se në fund të sezonit do të kthehet në superligë, ku mungon prej 5 sezonesh radhazi. Ky besim është edhe në radhët e drejtuesve të tij, të cilët e ndjekin hap pas hapi, nga ndeshja në ndeshje, duke plotësuar kërkesat financiare, që janë në themel të progresit të arritur këtë sezon.
Ky është suksesi më i madh për kategorinë e parë, sepse regjistron 10 fitore radhazi në Gjirokastër dhe ndodhet në prag të të 11-ës, tek pret Butrintin. Madje, sikundër rezulton, është aq i patundur, sa drejtuesit e tij po mendojnë dhe skicojnë ekipin e superligës dhe ringjalljen në tërësi të futbollit gjirokastrit, prej të cilit vlen gjithmonë të përmenden të paktën Th.Kalluci, S.Braho, A.Boni, L.Seiti, L.Millo, Ar.Xhumba, A.Bellai, A.Haxhi dhe B.Devolli për sa kanë bërë për futbollin kombëtar, 4-shja e dytë edhe në klube të huaja. Të gjithë këta duhet të shërbejnë si frymëzim për të ardhmen.
Muho Qazim Muho, drejtori ekzekutiv i Luftëtarit dhe donatori i dytë, pas bashkisë së qytetit, thotë: Në Lushnjë mendoj se humbja nuk ishte diçka e papritur, sepse, siç fituam ne në Gjirokastër, mund të fitonte dhe ajo në fushën e saj. Kjo ndodhi, por rezultati më i saktë do të ishte barazimi, që nuk u arrit, edhe pse për më shumë se 30 minuta patëm superioritet numerik.
Kjo humbje ndodhi, se nuk u realizua impenjimi total i ekipit tonë. Për të mos u zgjatur, theksoj se është një humbje nxitëse për të ardhmen, për të mos pësuar të tjera. Çdo ndeshje, pavarësisht se cili është kundërshtari, duhet të na japë 3 pikët, që na lejojnë të mbajmë kreun të shkëputur nga rivalët.
Gjendja e ekipit tonë është e mirë dhe premtuese. Kështu është plotësisht normale që të fitojmë ndeshjen e radhës me Butrintin, që e presim në fushën tonë. Në sajë të financimit të bashkisë dhe timin, Luftëtari nuk ka asnjë shqetësim ekonomik dhe po punohet jo vetëm për të realizuar objektivin e sezonit, por edhe për strategjinë e sezonin tjetër, në mënyrë që ekipi gjirokastrit të konsolidohet për të qëndruar sa më gjatë në superiore.
Kthimi në superligë, që do të bëhet pas 5 sezonesh përpjekje dhe sakrifica, duhet të menaxhohet, në mënyrë të tillë që të mos na dalë flluskë sapuni. Duhet të kemi një Luftëtar, që të interpretojë ndjenjat e sportdashësve gjirokastritë, të cilët e duan në elitën e futbollit kombëtar, duke rilindur vlerat e tij më të mira, madje të arrijë si dikur të japë edhe ndihmesë në futbollin kombëtar.
Dihet që për tu bërë këto duhet organizim dhe punë e specializuar, në radhë të parë me djem gjirokastritë. Pra, vetë ne të prodhojmë futbollistë cilësorë në sasi të kënaqshme dhe te jemi të aftë për të hyrë në tregun e këtij sporti.
