E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fraholli: Te Naftëtari, asnjë i sigurt në formacion

Nga Arben Çepani

Trajneri i kuçovarëve, Barjam Fraholli, pohon se të gjithë duhet të japin maksimumin për ta merituar një vend titullari

Krahas përgatitjeve të përditshme për fazën e dytë, kuçovarët po zhvillojnë edhe ndeshje miqësore për kolaudimin e formacionit. Një të tillë Naftëtari e zhvilloi pak ditë më parë në fushën e Sukthit, ku barazoi 4-4, kurse të shtunën barazoi 1-1 me Egnatian. Në këto ndeshje stafi teknik ka testuar shumë futbollistë, të cilët pretendojnë fanellën e Naftëtarit për fazën e dytë.

Trajneri Fraholli preferon ndeshjet në transfertë, pasi edhe javën e parë të fazës së dytë ekipi i tij do të luajë në fushën e Delvinës. Drejtuesit kuçovarë janë përpjekur që ta ruajnë kontigjentin e fazës së pare, por nuk ia kanë arritur qëllimit, sepse janë larguar Koni, Memishaj apo dhe Balluku, të cilët kanë dashur të luajnë në kategorinë e parë.

Trajneri Fraholli Duke iu referuar miqësoreve të fundit, trajneri Barjam Fraholli thekson: Me Sukthin dhe Egnatian pamë gjendjen e ekipit dhe më tepër të futbollistëve që janë afruar gjatë kësaj periudhe. Mendoj se ishte një test i vlefshëm, pasi kishim përballë një kundërshtar të fortë, që pretendon ngjitjen në kategorinë e parë.

Në përgjithësi, jam i kënaqur nga ekipi, por gjithmonë kërkoj më shumë, sidomos në zbatimin e detyrave taktike. Janë bërë shumë afrime dhe askush nuk e ka vendin të sigurt në formacion. Do të zhvillojmë edhe ndeshje të tjera miqësore për konsolidimin e ekipit. E kemi vlerësuar shumë seriozisht fazën përgatitore, sepse duhet të përballojmë një fazë të dytë shumë të vështirë. Naftëtari e ka mbështetjen e nevojshme financiare, ndaj dhe duhet ta justifikojë veten si një pretendent kryesor për kalimin në kategorinë e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›