Ziambo i Tërbunit, pritet rikthimi i serbit Bektoviç
Presidenti Syla pohon se ka në dorë dokumentacionin dhe sulmuesi afrikan do të luajë me ekipin e tij gjatë fazës së dytë
Sulmuesi afrikan Xhanuari Ziambo, i cili luajti me Kamzën fazën e parë, ditët e fundit është stërvitur me Besën, madje ka luajtur edhe në miqësoren e saj të fundit, por pukjanët sigurojnë se lojtari në fjalë është i tyre. Presidenti Petrit Syla garanton se ka dokumentacionin e sulmuesit shtatlartë.
Presidenti i Tërbunit, kur Ziambo doli jashtë planeve të stafit të Kamzës, e bindi atë të luante me ekipin e tij në gjysmën e mbetur të sezonit. Në lojë hyri edhe Besa dhe situata u bë e paqartë.Presidenti i Tërbunit, Syla, pohon se ka marrë tashmë lejen e kalimit nga Kamza dhe Ziambo konsiderohet pjesë e pukjanëve. Pavarësisht dëshirës së sulmuesit, kam rënë dakord me të që në dhjetor që ai të luante me Tërbunin. Atij i ka pëlqyer oferta dhe më pas u largua drejt familjes së tij në Zambia.
Dua të saktësoj se kam në dorë lejen e kalimit të tij, kështu që për fazën e dytë do të jetë pjesë e Tërbunit, sepse e ka pranuar vetë marrëveshjen, – sqaroi presidenti Petrit Syla. Ndërkohë, te Tërbuni pritet që të ketë të tjera përforcime. Këtë herë në skuadër bëhët fjalë për një rikthim dhe duket se është mbrojtësi serb, Almir Bektoviç, i cili ka qenë një nga më të dalluarit fazën e parë.
Miqësoret Tërbuni, pasi ka zhvilluar tri miqësore deri më tani me Kukësin dhe Partizanin, që përfunduan të dyja në barazim 0-0 dhe dje me Kamzën ku u mund 5-3, duket se po bind stafin dhe tifozët që e ndjekin, sidomos me lojën në rritje. Por javën që vjen ka programuar edhe dy ndeshje të tjera. Ka gjasa që një ta luajnë me Olimpikun, rival në grupin e vet dhe një tjetër me Kukësin ose Skraparin në fundjavë.