Franca dhe Portugalia përballë testit "play-off"
Mundësia që në Kupën e Botës 2010 mos të shohim lojtarë si Kristiano Ronaldo, Deko, Nani apo Henri, Benzema e Gurkuf është reale. Kjo, mbi të gjitha pas ndeshjeve të para "play-off" në zonën europiane që do të luhen sot. Pasi dështuan në garën për t‘u kualifikuar automatikisht, portugezët pa kapitenin Ronaldo ndeshen me Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa Franca, e cila nuk do të ketë shërbimet e Frenk Riberi, përballet me Republikën e Irlandës. Një test shumë i vështirë për "gjelat", sepse nën drejtimin e Xhovani Trapatonit, irlandezët duken si një ekip i rinovuar dhe dinë të jenë shumë të rrezikshëm. Trajneri Rajmond Domenek vazhdon të këmbëngulë se francezët do të arrijnë të kualifikohen në Afrikën e Jugut, ndërsa në anën tjetër, ndihmëstrajneri Liam Bredi, një ish-lojtar i Irlandës, deklaron se në fushën e gjelbër, skuadra e tij nuk i trembet askujt. "Në këtë ndeshje, Franca ndodhet më shumë nën presion se ne. Luajmë për një vend në fazën finale të Kupës së Botës, kjo është një sfidë e jashtëzakonshme", tha Bredi. Greqia pret në fushën e saj Ukrainën, por pas paraqitjeve zhgënjyese në grupe, helenët kanë humbur mbështetjen e publikut: janë shitur vetëm gjysmat e biletave të stadiumit "Olimpik". Eliminimi mund t‘i jepte fund aventurës së Rehagel me grekët. Bileta e fundit drejt Botërorit do të luhet ndërmjet Rusisë së Gus Hidink dhe Sllovenisë. Rusët shihen si favoritë, por strategu holandez këmbëngul se kundërshtarët nuk duhen nënvlerësuar.