Marçelo Lipi shpreson dështimin e Francës
Trajneri i përfaqësueses italiane, Marçelo Lipi, shpreson që Franca të dështojë në objektivin për t‘u kualifikuar në finalet e Kupës së Botës. Ai deklaroi se gjatë ndeshjeve "play-off" do të mbështesë Irlandën. Skuadra e Trapatonit pret francezët në stadiumin "Krok Park" dhe Lipi mendon se skuadra e Domenek mund të bëjë një hap fals. "Do të bëj tifo për italianët", tha drejtuesi i stolit "axurr" për mediat. "Tani bëjini vetë llogaritë sa italianë janë në garë... Nuk kam asgjë kundër Francës, por do të mbështes bashkëkombësit e mi, Trapatonin dhe Tardelin, të cilët punojnë në përfaqësuesen e Irlandës". Më tej, Lipi e ktheu vëmendjen te miqësorja e Italisë me Holandën dhe bëri publik formacionin titullar për këtë ndeshje. "Do të luajnë Bufon, Zambrota, Kanavaro, Kielini, Groso, Kamoranezi, Pirlo, Palombo, Kandreva, Xhilardino dhe Paladino. Fillimisht do të aktivizoj vetëm dy të rinj, pasi kur hedh në fushë vetëm të rinjtë, bëhet shumë e vështirë. Pres që skuadra të tregojë se është rritur", shtoi tekniku. Ky ishte i njëjti 11-ësh që mori pjesë në stërvitjen e fundit të skuadrës, në "Vilafranka".