E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lampard dëmtohet për faj të aeroplanit "low cost"

Kriza botërore prek edhe futbollin britanik. Nuk bëhet fjalë për klubet e Premierligës, por për Kombëtaren e "Tri Luanëve". Në prag të miqësores me Brazilin, Federata Angleze vendosi që të dërgonte skuadrën e Kaplos në Doha me një aeroplan ekonomik. Zgjedhja e udhëtimit "low cost" jo vetëm që ka shkaktuar probleme te lojtarët, por rrezikon që FA të paguajë edhe një milion euro. Kjo është shifra që Çelsi i Roman Abramoviç pretendon si dëmshpërblim për dëmtimin e mesfushorit Frenk Lampard, në seancën e parë stërvitore të zhvilluar në Katar. Sipas "The Sun", shkak është bërë pikërisht çarteri i përzgjedhur nga federata, me kosto disa herë më të ulët se aeroplani i zakonshëm "me pesë yje". "Çarteri ‘low cost‘ i përdorur është i përshtatshëm vetëm për rrugë të shkurtra, jo për një udhëtim që zgjat shtatë orë. Në vend të ‘kolltukëve-shtrat‘, avioni kishte sedilje të thjeshta", citonte tabloidi. Duket se ka qenë udhëtimi aspak komod ai që ndikoi në dëmtimin e Lampard: në sprintin e parë gjatë stërvitjes, lojtari ndjeu dhembje të forta në kofshën e majtë. E njëjta traumë kishte bërë që në sezonin e kaluar, mesfushori të qëndronte gjashtë javë jashtë fushave të lojës, por sipas faqes zyrtare të Çelsit, rehabilitimi mund të përfundojë brenda tri javëve. Për miqësoren me "seleçaon", Anglia mund të humbasë edhe kapitenin Xhon Terri, i cili ka probleme në Kavilje. Mbrojtësi u shtohet mungesave të Lampard, Xhonson, Rio Ferdinand, Xherard, Kol, Xhejms, Uallkot dhe Heskit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›