E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria U-21 luan mirë, në fund merr një 2-2 me fat ndaj Austrisë

Përfaqësuesja jonë U-21 shkëlqen për më shumë se gjysmën e ndeshjes ndaj homologes së Austrisë, por në fund lëshon terren dhe për fat të mirë merr një barazim 2-2. Nëse do të merrnim në analizë pjesën më të madhe të ndeshjes, thuajse deri në gjysmën e pjesë së dytë, mund të thuhet se kuqezinjtë humbën dy pikë, pasi djemtë e Artan Bushatit udhëhoqën 2-0, përpara se austriakët të shënonin dy golat e tyre për të siguruar një të çmuar në transfertën e Tiranës, ku miqtë humbën edhe dy penallti, nga një në çdo pjesë loje. Ky ishte barazimi i parë i Shpresave në gjashtë ndeshje të zhvilluara për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21 2011. Në takimin e parë me Austrinë, Shqipëria kishte humbur me rezultatin 3-1 në Vjenë, ku dy nga golat për austriakët i shënoi Atdhe Nuhiu, i pranishëm edhe në ndeshjen e "Qemal Stafës". Fansat kuqezinj, madje kishin shpalosur edhe një banderolë kuptimplotë "E duam A. Nuhin në Kombëtare". Gjithsesi, gjiganti shqiptaro-austriak bëri një paraqitje të mirë përballë publikut shqiptar në të parën vizitë që ai bënte në Shqipëri. Falë një paraqitjeje shumë të mirë Shqipëria krijoi shumë raste për shënim dhe e pa veten në avantazh pas 20 minutash me Arsen Sykaj, që në goditjen e dytë e mposhti portierin Koningshofer. Mbrojtja ishte e pakalueshme dhe portieri nuk pati thuajse aspak punë. Në minutën e 43-të, Roshi mban nga fanella një austriak, gjyqtari jep 11-metërsh, por Kavlak gjuan mbi traversë. Në minutën e 51-të Roshi realizoi edhe golin e dytë. Por brenda 1 minute Austria ngushton në 2-1 falë autogolit të Seminës. Më pas Shqipëria lëshon terren dhe miqtë fitojnë një tjetër 11-metërsh në minutën e 74-ët, por Moçka kthehet në hero, duke e pritur atë. Pesë minuta më vonë përfiton nga rreshtimi i keq i mbrojtjes tonë dhe Perstaller shenon golin e barazimi 2-2. Kuqezinjtë patën një tjetër rast në minutën e 92-të me Roshin. Gjyqtari fërshëllen dhe gjithçka mbyllet 2-2.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›