Një rrëfim për Shqipërinë e 1900-s
Karl May, shkrimtari më popullor gjerman i viteve 1900, mund të jetë i dëgjuar për lexuesin shqiptar përmes referimeve të të tjerëve për të. Ndërsa për botën mbarë, është i njohur për librat aventureskë të vendosur kryesisht në vendet e Lindjes. "Udhëtim në trojet shqiptare" është i pari roman nga cikli i krijimeve të tij që vjen në shqip. I botuar nga "Toena" do të prezantohet sot nga akademiku Ali Aliu, ora 13.00, në stendën e kësaj shtëpie botuese. Hapësira ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani janë trevat e largëta të Shqipërisë së Veriut. Faqet e këtij libri nuk janë kujtime, as shënime udhëtimi që dokumentojnë një botë të shekujve të shkuar. Karl May udhëtoi në trevat shqiptare me trillin e tij. Nën ndikimin e shkrimtarit gjerman dhe të këtij romani që vjen sot në shqip, shumë fotografë, aventurierë të kohës së dhënë pas udhëtimeve apo edhe fisnikë gjermanë udhëtuan drejt Shqipërisë së treguar nga May. Disa u befasuan e të tjerë u zhgënjyen nga rrëfimet e tij, por ai ishte nxitës i njohjes së këtij realiteti. "Personazhet kryesore të këtij romani vijnë prej romaneve paraardhës të Karl May-t. "Udhëtim në trojet shqiptare" është pjesë e gjashtë romaneve të ciklit të Orientit. Heroi kryesor i romanit me emër të arabizuar Kara Ben Nepsi është një gjerman, i cili udhëton nëpër botë për të njohur vende dhe popuj të panjohur. Gjatë udhëtimit ai shoqërohet nga Haxhi Halef Omari, Omar ben Sadeku dhe Oskoja. Me ta ai është njohur në rrethana të rrezikshme në vendet orientale, duke lidhur në këtë mënyrë miqësi të ngushtë. Njerëz me virtyte të larta njerëzore, në udhëtimet e tyre udhëhiqen nga synimi për të ndëshkuar të keqen dhe për të marrë në mbrojtje njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e tyre. Në rrugën e tyre ka grabitës, banditë malesh, nëpunës të korruptuar... Kështu ndodh që në ndjekje të një bande keqbërësish dhe grabitësish nëpër vendet e Ballkanit, rruga i sjell këta miq në trevat e Shqipërisë së Veriut", shkruan përkthyesja e romanit, Ingrid Schatz. Karl Friedrich May (25 shkurt 1842-‘30 mars 1912) ka qenë një nga shkrimtarët më popullorë gjermanë i njohur veçanërisht për romanet e tij uestern, me ngjarje të vendosura në Lindjen e Mesme apo atë ekstreme. Por, krijimtarisë së tij nuk do t‘i mungojnë as krijimet për Gjermaninë, në Kinë apo në Amerikën Latine. Shkroi mes të tjerave poezi apo edhe pjesë teatrore. Kompozoi muzikë dhe luante instrumente të ndryshme. Versioni i tij muzikor i "Ave Marias" u bë shumë i njohur për epokën. May lindi në një familje të varfër dhe sipas autobiografisë së tij, vuante nga rakitizmi dhe problemi i të parit të cilin e rifitoi falë kurave rreth moshës 4 - 5-vjeçare. Pasi frekuentoi një shkollë të Magjistraturës dha mësim në Waldenburg e Plauen. Mësimdhënia e asaj epoke nuk i siguronte një pozicion të kënaqshëm social e as pagesë. Pas një kohe të shkurtër u përball me akuzën e vjedhjes së një ore nga xhepi i fqinjit të tij më 1863. May e ka trajtuar gjithnjë si një akuzë të rreme, por biografët e tij nuk dinë ta thonë me siguri. E humbet postin si mësues dhe bëhet gjithnjë e më nervoz. Pati një sërë problemesh me shqetësimet shkaktuar minorenëve dhe burgoset dy herë. Aty nisi të shkruajë, ndonëse për një kohë të gjatë librat e tij nuk patën sukses. "Mirditori e kish zgjedhur mirë vendin ku do na zinte pritë dhe i kish bërë mirë llogaritë. Me sa dukej ai kishte ndër mend t‘na sulmonte dhe pastaj të zhdukej menjëherë. Shfaqja e tij e papritur do na befasonte. Para se ta kishim mbledhur veten, ai do më qëllonte dhe do mundohej të shpëtonte kokën e vet. Pa dyshim që e kishte shkoqitur mirë në mendje, por pa pëlqimin tim. Prandaj për t‘ia prishur planet, bëra gati lason, që e kisha me vete. Kjo lloj arme i fuste tmerrin kundërshtarit po të ishte në dorën e një të sprovuari", shkruan May në kapitullin "Çakani i shqiptarit". Herbert Ziergiebel në veprën e tij "Perçja e fundit" (1956) përshkruan nxitjen që Karl May i dha udhëtimit të tij në tokën shqiptare. "Kusarë, e drejta e më të fortit, gjakmarrja, gra të mbuluara me perçe, pushkë Henry (lloj pushke që citohet në librat aventureskë të Karl May-it), çifte për arinj - Karl May: Përmes tokës së shqiptarëve! Ka kaluar shumë kohë që kur historitë me vrasje të Kara Ben Nemsit dhe shërbyesit të tij, Hadschi Halef Omar, Ben Hadschi Abul abbas Imb Hadschi Darwuhel al Gossara, më ndezën fantazinë dhe më udhëhoqën nëpër vendin e shqiponjave. Dhe brenda pak ditëve të gjitha ato që Karl May-it iu desh të shpikte me mundime me ndihmën e një enciklopedie, do të bëhen realitet për mua: malet shkëmbore, xhamitë, myslimanët, cubat, pazaret...", shkruan Ziergiebel. Por rrëfimet e tij për banditë, e bëjnë të përjetojë një episod të frikshëm në xhaminë e Tiranës. "...Bën atë lëvizjen dëbuese me dorën e djathtë, kurse me të majtën më tërheq lehtazi drejt hyrjes së xhamisë. Pastaj kryqëzon krahët mbi gjoks, përkulet dhe bën një gjest ftues. (…)Fytyra e qeshur e plakut na bën që dalëngadalë t‘i biem në të: lëvizja refuzuese e dorës në Shqipëri ka kuptimin e kundërt. Në vend të "shporru" ka kuptimin "eja brenda". (...)Në djall vaftë Karl May me fanatizmin e tij dhe vrasësit e tij me thika! "Udhëtim në trojet shqiptare" është i pari roman që vjen në shqip, e që do të pasohet nga të tjerë të shkrimtarit gjerman.