Franca e mbështet Kosovën
Drejtori për Europë Kontinentale të Ministrisë së Punës së Jashtme të Francës, Filip Lefort, gjatë një takimi në Paris me zëvendësministren në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, ka premtuar ndihmën e Francës në procesin e mëtutjeshëm të integrimeve europiane, me theks të veçantë në liberalizimin e vizave.
Në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se Lefort ka përshëndetur progresin e arritur në konsolidimin e institucioneve kosovare.
Gjatë vizitës së punës në Paris, zëvendësministrja Çitaku ka vazhduar serinë e takimeve me zyrtarë të lartë të shteteve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
Ajo ka pasur takim edhe me këshilltarin kryesor të presidentit Nicolas Sarkozy, Zhan David Levit, i cili konfirmoi përkrahjen e Francës në proceset e ardhshme në Kosovë, duke nënvizuar qëndrimin e fuqishëm francez të shprehur edhe në takimin e radhës të GDN’së në Bruksel, se sovraniteti, pavarësia dhe tërësia territoriale e Kosovës nuk janë temat e dialogut teknik me Beogradin.
Çitaku do ta përfundojë agjendën zyrtare me një ligjëratë në universitetin prestigjioz Europian Sciences – Po Essec.
“Takimet e dy ditëve të fundit ishin të rëndësishme për bashkërenditjen e hapave midis shteteve përkrahëse të Kosovës në mbrojtjen e interesave, forcimin dhe njohjen e mëtutjeshme të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPJ’së.