Mitrovica me zonë ekonomike
Mitrovica ka ndarë rreth 50 hektarë tokë për krijimin e zonës së lirë ekonomike, e para e këtij lloji në Kosovë. Kompanitë që do të punojnë aty nuk do të paguajnë tatim në paga, tatim në fitim, TVSH e tjerë. Të gjitha tatimet do të jenë zero.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati tha për portalin Qendra.Info se kjo ide është marrë si model nga disa shtete europiane me fuqi të mëdha ekonomike, të cilat përmes këtyre projekteve, kanë gjeneruar vende të shumta të punës.
“Përmes këtyre projekteve, është arritur të ketë progres edhe në zgjidhjen e problemeve ndëretnike siç është rasti me Irlandën Veriore, e cila është e para në Evropë për nga numri i zonave të lira ekonomike”, tha Kastrati. Sipas tij, zona e lirë ekonomike planifikohet që të ndërtohet në fshatin Frashër dhe për këtë është duke u biseduar me partnerë nga Irlanda Veriore, Turqia, Kroacia, etj, në mënyrë që ajo zonë të kufizohet dhe të ndërtohet infrastruktura.
“I gjithë prodhimi që kryhet në atë zonë ekonomike do të jetë i përjashtuar nga tatimet. Është njëlloj sikurse fabrika të ishte në Gjermani, Turqi, ose Zvicër. Pra, të gjitha repromaterialet që hyjnë në atë zonë nuk doganohen me kurrfarë taksash, as për lëndën e parë, as për gjysmëproduktet”, ka shtuar Kastrati.
Mallrat e prodhuara në këtë zonë do ta tatimohen sipas të gjitha ligjeve në fuqi, nëse nga kjo zonë ekonomike nxirret në shitje në pjesën tjetër të vendit. "Gjithsesi që do të jenë të evidentuara se cilat janë fabrikat dhe cilat produkte prodhohen aty për të shmangur abuzimet. Nëse në kufi hyn një mall me adresë për zonë ekonomike, atëherë atij i merren dokumentet dhe i jepet një dokument tjetër që të vazhdojë drejt në këtë zonë ekonomike në Mitrovicë, pastaj në zonë do të vendoset dogana, policia etj. që do të bëjnë kontrollin e mallit".
Komuna ka pasur biseda edhe me Qeverinë dhe është marrë miratimi ose pëlqimi i tyre që të nxisë punësimin.
"Për arsye se ky është projekti i parë në Kosovë dhe dëshirojmë që ky projekt të realizohet. Irlanda Veriore është e para në Europë me numrin e zonave ekonomike dhe ajo ka pas një progres për arsye se nëpërmes zonave të lira ekonomike, ka zgjedhur edhe probleme ndëretnike. Ndaj edhe zhvillimi ekonomik ka sjellë edhe tejkalim të problemeve etnike në mes të irlandezëve dhe anglezëve’’, tha Kastrati.