Berisha, batuta me demokristianët: ”Këta zihen, por shtojnë karrige në qeveri”
Kryeministri Sali Berisha ka nisur mbledhjen e djeshme të qeverisë duke shkëmbyer batuta me tre përfaqësuesit demokristianë në kabinetin qeveritar. Përpara se kryeministri Berisha të hynte në sallën e mbledhjeve, ministri i Shëndetësisë, Ndoka, uroi me ironi zëvendësministrin Anton Gurakuqi, i cili vetëm një ditë më parë u zgjodh nga kundërshtarët e Ndokës si kryetar i PDK-së. Gurakuqi e falënderoi Ndokën për urimin “e sinqertë”. Më pas ministri Ndoka u kthye pas dhe ftoi kamerat të merrnin portretet e zotit Gurakuqi dhe të Zef Bushatit për herë të fundit si anëtarë qeverie. Kjo batutë e Ndokës është shoqëruar me një ftesë tjetër nga ana e zotit Gurakuqi, që të fokusonin zotin Ndoka, ndoshta për herë të fundit si ministër i Shëndetësisë. Ndonëse kryeministri Berisha hyri në sallën e mbledhjeve pas këtyre batutave mes demokristianëve, ai ndjeu buzëqeshjet e ministrave të tjerë dhe kuptoi se për çfarë bëhej fjalë në momentin që pa se në mbledhje ndodheshin të gjithë demokristianët e mundshëm, ministri dhe dy zëvendësministrat që përfaqësojnë PDK-në. “Këta, or zotërinj, zihen dhe shtojnë nga një karrige këtu tek unë. Nuk ka pasur ndonjëherë prezencë më të gjerë të demokristianëve se sot në qeveri”, - tha me buzën në gaz kryeministri Berisha. Batutat morën fund shpejt, pasi mbledhja e qeverisë nisi menjëherë pasi Berisha kërkoi fillimin e mbledhjes.
8 Maj 2008