E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca kërkon rol më të madh brenda NATO-s

Prishtinë -Franca do të marrë kryesimin e posteve të larta të NATO-s dhe do të forcojë pozitat evropiane brenda Aleancës, pas rikthimit të saj në strukturat komanduese të organizatës ushtarake, deklaroi sot ministri i Jashtëm francez para nisjes së një procesi votimi në parlament lidhur me këtë çështje. Presidenti francez Nicolas Sarkozy mund të bëjë të ditur brenda kësaj jave se Franca shtë e gatshme të bëhet sërish pjesë e komandës së integruar të NATO-s, që planifikon, trajnon dhe drejton operacione të përbashkëta të Aleancës perëndimore.

Një lëvizje e tillë kundërshtohet nga partitë opozitare si dhe nga anëtarë të veçantë të partisë UMP të Sarkozy, duke argumentuar se Franca do të humbë aftësitë e saj për të vepruar si kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të krijuar aleanca të pavarura diplomatike. Ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner u shpreh sot për gazetën "Le Figaro" se ishte e koha e duhur për t'u bërë pjesë e strukturave komanduese të NATO-s, katër dekada më vonë pasi presidenti i atëhershëm francez, Charles de Gaulle doli nga "streha" e brendshme e NATO-s në kulmin e Luftës së Ftohtë.

"Konteksti tashmë ka ndryshuar. Pakti i Varshavës dhe rreziku komunist nuk ekzistojnë më", deklaroi Kouchner. "Ne do të marrim disa poste të rëndësishme dhe, mbi të gjitha, do të jemi pjesëmarrës në hartimin e planeve të ardhshme të Aleancës", shtoi ai. Një diplomat perëndimor tha për agjencinë Reuters në fillim të vitit se SHBA-ja kishte rënë dakord të lejonte Francën që të kryesojë projektin e transformimit të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Virxhinia dhe komandën rajonale të Lisbonës, nëse ky vend vendos të rikthehet në strukturat kryesore komanduese.

Franca është tashmë kontribuesi i katërt më i madh me trupa në kuadër të NATO-s dhe ndërkohë Sarkozy po përpiqet të bindë skeptikët në vendin e tij kthimi mbrapsht i vendimit të de Gaulle është në interes të Parisit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›